Haradinaj kërkon “hetim ndërkombëtar” për ngjarjet e krijuara në Veri


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se situata e krijuar në Veri “si rezultat i përfshirjes së drejtpërdrejt të Serbisë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri, kërkon hetim ndërkombëtar!”.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ngjarjet në Veri dhe sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, “janë pjesë e skenarit të përgatitur në Beograd”.

“Reagimi i Policisë së Kosovës është përmbushje e detyrës për të mbrojtur rendin dhe ligjin”, shkroi.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri theksoi se qëndrimi i Qeverisë së Serbisë dhe rreshtimi i saj krah grupeve kriminale e paraushtarake, “është tejet shqetësues në këtë situatë dhe është sinjal i qartë se shteti i Serbisë është përfshirë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në Veri”.

Prandaj në një situatë të tillë është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenaret e destabilizimit të situatës jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin e Ballkanit”, përfundoi.

Sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar të gjitha vendet perëndimore, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Nga ky sulm terrorist nuk është distancuar Serbia, madje ata kanë shpallur 27 shtatorin ditë zie në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën ka publikuar pamje të kriminelit dhe terroristit, njëherit nënkryetarit të Listes Serbe, Milan Radojiçiç, ku shihet në Veri, saktësisht në Banjskë.

Ai e ka publikuar videon në rrjetin social ‘Facebook’ duke thënë se është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.

Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiç kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë”.

Sipas ministrit, Lista Serbe, është duke e parë pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste.

“Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”.

Sipas mediumit boshnjak Istraga.ba, Radojiçiç, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç-it, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet.

Se krimineli serb ishte në Veri, e tha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të hënën ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Radojiçiç-it.

Baby Boo