Hapja e kafeneve dhe restoranteve. Pronarët me një sërë vërejtjesh për kushte


Nuk mund të jetohet gjithmonë nën masa restriktive. I këtij mendimi është kreu i ekzekutivit, Oliver Spasovki, i cili la të nënkuptohet se tashmë vendi seriozisht hyn në një fazë të re të rikthimit të gjërave në normalitet.
Ndër lehtësimet që pritet të hyjnë në fuqi është edhe nisja me punë e objekteve hotelierike. Hapja e këtyre bizneseve u paralajmërua javë më parë, por pronarët dhe autoritetet me ditë të tëra po diskutojnë për mënyrën e funksionimit.
Mospajtime ka rreth kushtit që ka propozuar Komisioni për Sëmundje Infektive, që vetëm një tavolinë me katër karrige të vendoset në 10 metra katrorë dhe në të të ulen vetëm dy persona.
Nga Oda e Gastronomëve kundërshtojnë këtë kusht, duke e cilësuar si të palogjikshëm për shkak të hapësirës që posedojnë objektet.
“Bëhet fjalë për gjëra jo të logjikshme në protokollet. Në 9.6 metër katrorë duhet të vendoset një tavolinë me katër karrige ku duhet të ulen vetëm dy persona. Dhe tani shtrohet pyetja se çfarë të ardhura mund të regjistrohen kur kemi vetëm dy persona në tavolinë, praktikisht në tarracë prej 100 metrash katrorë mund të ulen 20 persona. Ka kusht tjetër që nëse janë familjarë mund të ulen 4 persona, por ne nuk kemi autorizim t’i kontrollojmë e t’i legjitimojmë a janë ata persona familjarë apo jo. Ne i kemi dhënë propozimet tona dhe më e mira është të sigurohet distanca e duhur prej 1 metër deri në 2 nga njëra karrige e njërës tavolinë në tjetrën karrige të tavolinës tjetër, e rëndësishme të rruhet distanca mes personave, për shkak se ka lloje të ndryshme të tavolinave dhe të karrigeve.”,- deklaroi Martin Angelovski nga Oda e Gastronomëve.
Pronarët dhe menaxherët e lokaleve shprehen se pavarësisht të gjitha vështirësive që do t’i kenë për të zbatuar protokollet, e rëndësishme është se ato do t’i kthehen sërish punës.
“Edhe tarracat normal i kemi të vogla dhe nëse shkojmë me ato kushte dhe me gjithë ato masa që duhet të merren që të punohet lirshëm, atëherë nuk e di llogaria ku është për ne. Se flitet që 10 metër katrorë një tavolinë me katër ulëse dhe kjo normal jo vetëm mua, por askujt nuk i konvenon, plus masat tjera shtesë, në çdo tavolinë dezinfektues, etj. etj., masa plus me orar të shkurtuar, besoj se janë masa që nuk na konvenojnë, mirëpo prapë një farë drite që do t’i hapen, se mbyllur jemi më shumë se dy muaj e gjysmë.”,- tha menaxheri, Jeton Sinani.
Pronarët e këtij biznesi ankohen edhe për vonesën që është bërë në hapjen në këtë drejtim, duke thelluar humbjet e këtij biznesi.
Mes tjerash, ata kanë kërkuar që për shkak të mungesës së hapësirave të jashtme të shumë lokaleve, të lejohet edhe ushtrimi i veprimtarisë edhe në ambientet e brendshme.
Baby Boo