Gruaja rome që vdiq në dëshpërim pas dëshmisë për dhunimin gjatë luftës


Shehrije Balaj, gruaja e parë që kishte dhënë dëshmi në Beograd kundër ushtarëve serbë, të cilët e kishin dhunuar atë seksualisht gjatë luftës në Kosovë, u braktis nga autoritetet kosovare dhe serbe pas dhënies së dëshmisë dhe u la në vuajtje, tha i biri i saj për rrjetin BIRN.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Haxhi Balajt i kujtohet se moti ishte me diell më 5 maj të vitit 1999 dhe se nëna Shehrije po përpiqej të gjente diçka për drekën që duhej t’ia shtronte familjes.

Ata kishin mbetur edhe pa miell, mes shumë gjërave të tjera që nuk i kishin në ato ditë të vështirë gjatë luftës në Kosovë.

Nëna e tij, një grua rome, ishte në shtëpinë e tyre në fshatin Bllagajë të Pejës, kur ishin dëgjuar disa të shtëna armësh. Ajo u kishte thënë fëmijëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë.

Pak më vonë, një veturë e policisë serbe hyri në oborrin e tyre dhe katër policë me uniform e morën Shehrijen dhe e dërguan në një vend të panjohur. Në mbrëmje, ajo u kthye, e përgjakur dhe me trup të mavijosur.

Në vitin 2013, Shehrije Balaj u bë gruaja e parë që dha dëshmi për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo dha dëshmi gjatë gjykimit të ish-komandantit të ushtrisë jugosllave, Toplica Miladinoviq, dhe dhjetë të tjerëve në Beograd për krime luftë të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, të cilët ndodhen afër Pejës, ku së paku 100 civilë u vranë në prill dhe maj të vitit 1999.

Autorët e këtij krimi ishin pjesëtarë të Njësitit 177 të Armatës Jugosllave, të njohur si “Çakejtë”, të udhëhequr nga komandanti Nebojsha Miniq, i njohur me nofkën “I vdekuri”. Ky njësit nuk ishte krijuar gjatë luftës në Kosovë. Ata më parë kishin kryer masakra edhe në Bosnjë dhe Kroaci.

Shehrija i identifikoi tre prej tyre – Srecko Popoviqin, Boban Bogiçeviqin dhe Dejan Bulatoviqin. Disa pjesëtarë të këtij njësiti ishin dënuar fillimisht në Beograd në vitin 2014 dhe ishin dënuar me burgim të përgjithshëm prej 106 vjetësh burgim, por Gjykata e Apelit në Serbi e kishte kthyer vendimin dhe rasti tashmë është në procesin e rigjykimit.

Ndërkohë Shehrije Balaj vdiq në varfëri në shtator të vitit 2018 pasi kishte vuajtur nga shumë sëmundje për shumë vjet me radhë.

Djali i saj tha se Gjykata e Beogradit nuk ofroi ndonjë masë mbrojtëse, këshillim apo përkrahje për viktimat dhe dëshmitarët në gjykimin e “Çakejve”.

Nëna e tij nuk kishte marrë ndonjë ndihmë apo përkrahje ekonomike as në Kosovë. Dëshmia e saj për dhunimin seksual nuk mori vëmendje në shtetin e lindjes dhe ajo asnjëherë nuk ishte përfshirë në listën e ndonjë OJQ-je të Kosovës që ofron ndihmë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ajo nuk ia doli as ta merrte statusin e viktimës së dhunës seksuale, një skemë e qeverisë kosovare që ua ofron të mbijetuarve të dhunës një pension mujor prej 230 eurosh pasi ta kenë kaluar procesin e verifikimit.

Ajo e kishte dorëzuar aplikacionin, por Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë nuk tregoi nëse aplikacioni i saj është shqyrtuar.

Ligji i Kosovës ua ofron statusin e të mbijetuarve të dhunës atyre që janë sulmuar seksualisht nga 27 shkurti i vitit 1998, kur kishte nisur konflikti i armatosur, deri më 20 qershor 1999, kur forcat serbe ishin larguar nga Kosova pas bombardimeve të NATO-s.

Megjithatë, në këtë ligj nuk përfshihen pensionet për familjet e viktimave që kanë vdekur gjatë procesit të verifikimit apo për të afërmit e atyre që vdiqën si rezultat i dhunimit.

“Me vdekjen e viktimës, e drejta e saj për këtë status gjithashtu vdes”, thotë Mirlinda Sada, kryetare e organizatës joqeveritare “Medica Gjakova”, e cila ofron përkrahje shëndetësore dhe ekonomike për viktimat e dhunës seksuale në luftën e viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë.

Sada tha se ky ligj mund të plotësohet për t’i përfshirë viktimat që tashmë kanë vdekur, por edhe për ta zgjatur periudhën kohore prej pesë vjetësh për aplikim.

Ajo e ka ngritur çështjen e personave që ishin dy herë viktima të dhunës seksuale – shqiptarë dhe romë që janë dhunuar nga serbët gjatë luftës dhe nga shqiptarët menjëherë pas luftës.

“Kemi raste të viktimave që janë dhunuar nga të dyja palët – nga forcat e armatosura serbe dhe nga shqiptarët. Kemi gjithashtu edhe raste kur viktimat thonë se janë dhunuar nga serbët, por frikësohen të tregojnë që e kanë përjetuar të njëjtën gjë edhe nga shqiptarët”, tha ajo.

Ardiana Shala, hulumtuese e psikologjisë sociale me fokus në traumat e luftës dhe dhunimet seksuale, tha se personat që aplikojnë për verifikimin e statusit të viktimës duhet të presin për një kohë të gjatë që aplikacioni i tyre të shqyrtohet. Ajo gjithashtu kërkoi që në ligj të përfshihen edhe viktimat që janë dhunuar pas 20 qershorit të vitit 1999.

Në anën tjetër, Haxhiu thotë se shëndeti i nënës së tij u përkeqësua edhe më shumë pasi ajo e kishte dhënë dëshminë në Beograd. “Ajo vdiq në dëshpërim, sepse askush nuk e njohu dhe nuk e përkrahu, ndonëse dha dëshmi në gjykatë për dhunimin e saj”, tha ai, shkruan “Balkan Insight”.

Baby Boo