Grezda reagon pasi goditi me grusht kundërshtarin: Nuk mund të duroja provokimet e tij


Eros Grezda u bë protagonist i ngjarjeje të shëmtuar në fund të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Kroacisë mes Rijekas dhe Osijek, që përfundoi me fitoren 3-2 me përmbysje të skuadrës vendase.

Shqiptari i Osijek, i cili në atë takim u aktivizua për 62 minuta, në përfundim të sfidës u përplas fizikisht me sulmuesin e Rijekas, Antonio Colak, dhe e goditi me grusht në kokë kundërshtarin e tij.

Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar Grezda ka reaguar në faqen e klubit të tij Osijek duke shpjeguar arsyet e veprimeve të tij, që sollën një dhunë të paprecedentë mes futbollistëve të dy skuadrave.

Grezda akuzon sulmuesin e Rijekas, Colak, se para, gjatë, dhe pas ndeshjes, e ka fyer në aspektin personal dhe atë kombëtar.

“Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së mediave, sidomos për kontekstin e çdo gjëje që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekan. Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se si sportistë u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja, të cilën e kishim pranë. Nuk është e lehtë për ne të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të qëndrojmë të qetë, sidomos kur dikush na fyen.

Kur vjen puna te fyerjet e rënda në aspekt personal dhe kombëtar, qoftë si njeri, qoftë si sportist, jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj.

Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese. Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci. I përmbush detyrimet e mia si qytetar dhe i paguaj taksat dhe nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare.

Do të marr të gjitha hapat ligjorë për të mbrojtur veten dhe nderin tim”, shprehet Grezda pas ngjarjes së ndodhur.

Me grushtin që i dha rivalit të tij, Eros Grezda rrezikon të dënohet nga 2 deri në 6 ndeshje nga Komisioni i Etikës në Federatën Kroate të Futbolli, por në rast se gjesti i tij cilësohet i rrezikshëm, shqiptari mund të pezullohet për 6 muaj nga futbolli.

Baby Boo