Greqia do të përshpejtojë punimet për kërkim të gazit natyror

Kryeministri grek, Kiryakos Mitsotakis, ka deklaruar se vendit i tij do të përshpejtojë punimet për kërkim të gazit natyror. Pas takimit të punës me Ndërmarrjen Helenike të Burimeve Hidrokarbure (EDEY), kryeministri Mitsotakis dha informacione për aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve në të cilat Greqia do të fokusohet në të ardhmen e afërt.

Baby Boo

“Sot ju njoftojmë se do të përshpejtohet kërkimi i burimeve të gazit natyror që ndoshta vendi ynë i ka. Theksoj sërish, nuk jemi të sigurt, por sipas studimeve, vendi ynë ka ndoshta një sasi të konsiderueshme burimesh si në tokë ashtu edhe në det”, tha Mitsotakis pas takimit të mbajtur në selinë e EDEY-it.
Duke theksuar se ka prova që e bëjnë Greqinë optimiste se posedon gaz natyror, Mitsotakis tha se, “Si vend, ne duhet të dimë me siguri nëse kemi burime të gazit natyror që ia vlen t’i përdorim ekonomikisht”.

Kërkimet do të fokusohen në detin Jon dhe në jugperëndim të Kretës
Kryeministri grek njoftoi se janë të fokusuar në gjashtë rajone për kërkime dhe se një nga këto gjashtë pika është në rajonin e Epirit, dy janë në detin Jon, një është në Gjirin e Kiparissia dhe dy të tjerat janë në jugperëndim të Kretës. Duke dhënë informacione për kalendarin e kërkimit, Mitsotakis tha se Greqia deri në fund të vitit 2023 duhet të dijë nëse ka burim të përdorshëm të gazit natyror për të avancuar në përdorimin e gazit natyror.

“Lufta në Ukrainë ndryshoi të dhënat për tregun e gazit natyror”
Më tej, Mitsotakis argumentoi se situata aktuale pas luftës në Ukrainë ka vërtetuar “dobësitë strukturore të energjisë” të Evropës, duke shtuar se kjo ka ndryshuar të dhënat për të gjithë tregun e gazit natyror dhe pjesën e prodhimit.

“Megjithatë, ky është një realitet që ndryshon. Trendi global i çmimeve të gazit natyror, planet për pavarësi nga gazi natyror rus, rëndësia e gazit natyror si lëndë djegëse transporti në vitet e ardhshme, na detyrojnë të ripërcaktojmë strategjinë tonë”, tha ai.
Mitsotakis po ashtu theksoi se përshpejtimi i kërkimit të burimeve të gazit natyror nuk do të ndryshojë planet e Greqisë në fushën e energjisë së gjelbër./Anadolu Agency/