Granit Xhaka e godet rëndë Federatën e Futbollit të Zvicrës


Granit Xhaka nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij të madh ndaj Federatës së Futbollit të Zvicrës, e cila doli me një propozim për të mos lejuar të luajnë për Zvicrën lojtarët me dy shtetësi.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Zvicrës Alex Miescher ka ndezur një debat të ashpër në Zvicër lidhur me dyshtetësinë e futbollistëve. Në një intervistë ai ka pyetur: “A na duhen qytetarët me dy shtetësi”?

Sulmet kanë qenë të drejtuara kundër Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit për shkak të gjestit të tyre me shqiponjë në ndeshjen e Zvicrës kundër Serbisë.

Në një intervistë për agjencinë zvicerane të lajmeve SDA Granit Xhaka ka reaguar ashpër kundër deklaratave të Alex Miescher.“Ai i ka zhgënjyer lojtarët e tanishëm si unë dhe të ardhshmit me dy shtetësi”, tha futbollisti shqiptar me shtetësi zvicerane. Xhaka u ankua se shpesh gjatë ndeshjeve të Zvicrës futbolli nuk ishte në qendër të vëmendjes. Pas ndeshjes kundër Serbisë, sipas tij, u bë fjalë vetëm për shqiponjën.

Xhaka hodhi poshtë kritikat se ai është arsyeja për dështimin në të tetën e finales. “Jo.

Shikoni rezultatet tona në kualifikime. Pothuaj nuk kemi lejuar të pranojmë gola dhe gati përherë kemi shënuar. Kundër Suedisë kemi bërë gabime defensive dhe në ofensivë kemi bërë shumë pak – për këtë shkak nuk do ta kishim merituar të jemi në çerekfinale”.Xhaka tha se gjatë Kampionatit Botëror sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Zvicrës Alex Miescher i kishte siguruar lojtarët se do të bëjë gjithçka për të na mbrojtur – “pastaj tri ditë pas largimit nga Kampionati pasojnë këso deklarata të tij”.

Xhaka vijoi se ishte përfundimisht i irrituar nga këto deklarata. “Nga rreshtat e tij dëgjoj se ai neve me shtetësi të dyfishtë nuk na beson se japim gjithçka për Zvicrën. Kjo drejtohet direkt kundër meje dhe disa të tjerëve me dy nacionalitete. Për mua kjo tingëllon sikur unë dhe kolegët e mi nuk shkojmë deri në fund kur bartim dresin e Zvicrës”.

Sipas Xhakës, tri ditë pas një disfate të hidhur në Rusi gjëra të tilla nuk duhet të bëhen.“Për mua dhe me siguri edhe kolegët tjerë të ekipit është e habitshme të dëgjojmë këso komentesh nga Alex Miescher. Ne jemi të gjithë zviceranë dhe japim gjithçka për kombëtaren e Zvicrës – secili prej nesh, sepse të gjithë e dimë dhe jemi mirënjohës se çfarë ka bërë Zvicra jonë për ne dhe familjet tona”, raporton dp.Xhaka tha se me këtë propozim të panevojshëm Alex Miescher ka shkaktuar shumë habi dhe shumë njerëz i ka zhgënjyer. Xhaka mendon se Miescher i ka rishikuar komentet e tij të Kohës së Gurit, të cilat drejtoheshin kundër zviceranëve me dy shtetësi.

Në pyetjen nëse kjo deklaratë e Miescher mund të shkaktojë tensione brenda ekipit, Xhaka tha: “Jo, fare. Këso marrëzish ka herë pas here. Ne tani duhet të përgatitemi për Kampionatin Evropian dhe kemi gjëra më të rëndësishme para vetes”.

Pas kritikave të ashpra Federata Zvicerane e Futbollit ka thënë se nuk është kundër shtetësive të dyfishta të lojtarëve dhe ka shprehur, siç thuhet, keqardhje për krijimin e përshtypjes se Federata nuk sillet në mënyrë korrekte apo sillet në mënyrë diskriminuese ndaj lojtarëve me dy shtetësi.

Baby Boo