Gjithçka ‘1 elo’: Ku mbetën kinezët që pas luftës kapluan krejt Kosovën?


Komuniteti i kinezëve, që vërshoi Kosovën në vitet e para të pasluftës, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, tash e një kohë nuk po vërehen këtej pari. Nuk ka më kinezë thuajse fare në Kosovë, së paku nuk duken as në rrugë individualisht dhe jo se jo në grumbuj me dhjetëra sish, siç dilnin e i vërshonin rrugët e shumë qendrave të Kosovës, e sidomos të kryeqytetit tonë. Nuk ka më as dyqane kineze në Prishtinë, as restorante, pos në qoftë ndonjë tepër i rrallë në ndonjë skutë të kryeqendrës, që Buletinit Ekonomik nuk i ka rënë në sy.

Në vitet e para të pasluftës shumë njerëz nga Kina, ndër ta të rinjë dhe të moshës së mesme, ia kishin mësyrë Kosovës, duke hapur jo pak biznese të tyre. Kinezët e ardhur tek ne kryesisht u përqëndruan në hapjen e shitoreve të vogla të tregtimit të mallrave kineze dhe aty këtu ndonjë restaurant me meny ekskluzivisht nga kuzhina e Kinës.

Këto dyqane nuk ishin të pakta. Pati disa sosh të përqëndruara te Qafa në kryeqytet si dhe disa të tjera në Vranjevc, ndërsa ndonjë më rrallë veç e veç në lagjet e tjera periferike të Prishtinës. Kinezët, pronarë të këtyre “tregtizave” nisën të mësojnë edhe disa fjalë në shqip. Përshëndetjet, përgjigjet në pyetjet e klientëve, urimet zinin të dëgjoheshin nga kinezët “kosovarë”.

Në anën tjetër, popullsia vendore, pra kosovarët i pritën fare mirë, në të shumtën e rasteve. Nuk u paragjykuan në shumicën e herave, ndërkohë që mikpritja e vendorëve u shpreh në mënyra të ndryshme, edhe me dhënien me qera të lokaleve nga prishtinasit. Mund të thuhet, se ishin raste fare të rralla ato kur u fyen, u sulmuan apo u nënçmua ndonjë kinez në Kosovë.

Mirëpo, kinezët një ditë, jo shumë kohë pasi zbarkuan në Kosovë, e lanë Kosovën, e braktisën vendin që i mirëpriti, ashtu si erdhën, heshtazi, pa paralajmërime dhe pa bujë. Së paku nuk po duken këndej pari, as në qendrat e tjera të Kosovës.

Dhe Kosova, institucionet e saj, siç i neglizhojnë shumë punë të tjera, nuk mbajtën dhe as nuk kanë fare evidencë as për ardhjen dhe as për ikjen e kinezëve.

Nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) i kanë thënë Buletinit Ekonomik se nga viti 2000 e deri në fund të vitit 2021, në Kosovë janë evidetuar 444 biznese me pronarë kinezë, prej të cilave 405 biznese kineze janë aktive.

Kurse nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në interesimin e Buletinit Ekonomik për zhvillimet rreth bizneseve të njerëzve nga Kina e largët, Buletini Ekonomi nuk mori përgjigje fare, sado që u prit me javë për përgjigje në pyetjet e drejtuara me shkrim.

Ndërkaq, zyrtarët e ATK-së thanë se tashmë “tek ne figurojnë 5 tatimpagues kinezë, që ende nuk kanë datë të mbylljes, por nuk kanë aktivitet afarist”.

Këto janë të dhëna edhe zyrtare, sado që tejet kundërthënëse, edhe jozyrtare. Ndërkohë që kinezët e braktisën Kosovën, ashtu siç erdhën këtu-heshtazi dhe pa bujë as të vogël as të madhe. Besohet që nuk u ka “ecën” tregtimi i synuar, tjetër arsye vështirë të kenë pasur.

Nga të dhënat që defilojnë nëpër mediet e vendeve fqinje, ka të ngjarë që edhe nga to kanë ikur kinezët. Arsyet pak a shumë supozohet të jenë të njëjtat.

Baby Boo