Gjermania thotë se virusi Covid-19 tashmë është bërë pandemi


Autoritetet gjermane thanë se koronavirusi Covid-19 është pandemi globale pas rritjes së rasteve të reja për 22 për qind dje brenda vendit. Edhe fqinja e Gjermanisë, Polonia, e konfirmoi sot rastin e parë.

Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, tha se koronavirusi tashmë i ka kaluar kufijtë e epidemisë dhe paralajmëroi se më e keqja ende nuk ka ardhur.

Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka shpallur ende si pandemi koronavirusin Covid-19, i cili së pari u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës.

Kjo organizatë më parë e ka shpallur gjendjen emergjente të shëndetit publik dhe ka paralajmëruar se bota është duke u futur në “terren të pashkelur” për shkak të përmasave të përhapjes.

Përpos Kinës, shtetet më të prekura janë Koreja Jugore, ku për një ditë u regjistruan 516 raste të reja, Irani dhe Italia, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Koronavirusi është përhapur në masë të madhe në Evropë nga personat që më parë e kishin vizituar rajonin e prekur në Itali.

Rritje të numrit të rasteve ka shënuar edhe Britania e Madhe. Atje, qeveria e ka prezantuar planin për luftimin e koronavirusit, ku parashihet edhe angazhimi i ushtrisë.

Baby Boo