Gjermania ndalon shaminë e kokës për stazhieret në drejtësi


Gjykata Kushtetuese në Gjermani nuk e ka pranuar ankesën e një gjermano-marokaneje myslimane. Ajo donte të ulej në tryezën e gjykatësit me shami koke.

Ndalimi i shamisë së kokës për stazhieret në drejtësi është konform kushtetutës ka vendosur të enjten (27.02) Gjykata Kushtetuese gjermane në Karlsruhe. Gjykata nuk e pranoi padinë e ngritur nga një ish-stazhiere, të cilës i ishte ndaluar mbajtja e shamisë së kokës në procedura të caktuara të punës në institucionet e drejtësisë. Në bazë të kushtetutës duhet respektuar vendimi i ligjvënësit për detyrimin, që në kuadër të shkollimit të ruhet neutraliteti në qëndrimet botëkuptimore e fetare, vendosi Gjykata.

Ndërhyrje në lirinë fetare, por…

Ky detyrim paraqet një ndërhyrje në lirinë fetare dhe të tjera të drejta bazë të paditëses, sqaroi Senati i Dytë i Gjykatës Kushtetuese. Por kjo është e justifikuar. Konstitucionalistët kanë argumentuar se liria fetare e stazhieres myslimane ka përballë parimet bazë të neutralitetit botëkuptimor e fetar të shtetit, të aftësisë funksionuese të së drejtës si edhe lirisë për të mos patur fe të të tretëve. Edhe më tej ata argumentuan se “Detyrimi i shtetit për neutralitet nuk mund të jetë tjetër veç detyrim i përfaqësuesve të tij për neutralitet, sepse shteti vepron vetëm përmes personave.”

Gjermano-marokanja kishte paraqitur si ankesë, se në Hesen gjatë procedurave gjyqësore, ajo nuk lejohej të ulej me shami koke në tryezën e gjykatësit. Rregulloret parashikojnë për stazhierët, se duhet të sillen në mënyrë neutrale fetare përballë qytetarëve. Asaj iu tha se nuk mund të ushtrojë me shami koke ato detyra, në të cilat ajo shihet si përfaqësuese e drejtësië apo e shtetit. Në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzonte ndalimin e përgjithësuar të mbajtjes së shamisë së kokës për mësueset. Sipas kësaj ato mund të mbajnë parimisht shami koke në shkolla.

Baby Boo