Gjermania i paralajmëron qytetarët që të mos udhëtojnë në më shumë rajone të 11 vendeve evropiane


Gjermania ka vendosur më shumë rajone nga 11 vende evropiane në listën e zonave me rrezik të lartë për udhëtime për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus dhe paralajmëroi qytetarët e saj të mos udhëtojnë te këto vende.

Të reja në listën e sotshme të publikuar, janë disa rajone nga Republika e Çekisë, Franca dhe Portugalia, transmetojnë mediat britanike.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, qytetarët gjermanë po paralajmërohen të mos udhëtojnë në Republikën e Çekisë, përveç në rajonet Usteçki dhe Moravian-Shlezia, në rajonet franceze të Luginës Qendrore të Loaras, Bretanjës dhe Normandisë, si dhe rajonit më të gjerë të kryeqytetit portugez, Lisbonë.

Gjermania paralajmëron për rrezikun e udhëtimit në zona ku numri i njerëzve të infektuar në javë tejkalon 50 në 100.000 banorë.

Pjesë të mëdha të Francës, përfshirë Parisin, janë përfshirë në listën e zonave që duhen shmangur për udhëtime.