Gjendja e jashtëzakonshme skadon të shtunën, deri më tani nuk ka paralajmërime për vazhdimin e saj


Deri më tani nuk ka paralajmërim nëse dhe kur do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit, duke e pasur parasysh se gjendja e jashtëzakonshme, e katërta me radhë, skadon të shtunën, 14 qershor. Deri atëherë, qeveria pritet të ketë një qëndrim nëse do të bëjë thirrje për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, nga e cila do të varet data për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Deri më tani, nuk ka as paralajmërim për mbajtjen e takimit të liderëve në të cilin partitë politike do të bien dakord për datën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nëse qeveria do të kërkojë zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme duhet të dihet deri të premten. Deri atëherë, duhet të arrijë edhe mendimi i Komisionit për sëmundje infektive për gjendjen me pandeminë.

Vendimin e fundit, të katërt, për gjendjen e jashtëzakonshme 14-ditore presidenti Stevo Pendarovski pas seancës së Këshillit të Sigurimit e miratoi më 30 maj.

Miratimi i këtij vendimi, tha ai, ka për qëllim vetëm t’ju mundësojë Qeverisë dhe institucioneve të ballafaqohen në mënyrë efektive para së gjithash me siç tha, sfidat shëndetësore, por edhe ekonomike dhe sociale që lidhen me krizën e shkaktuar nga koronavirusi dhe nuk duhet të lidhen me procesin e zgjedhjeve.

Presidenti Pendarovski, duke filluar nga 18 marsi, miratoi tre vendime për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Dy të parat zgjatën 30 ditë, ndërsa e fundit 14 ditë./MIA

Baby Boo