Gjendet edhe një trup i pajetë i një terroristi të vrarë te Manastiri në Banjskë


Është gjetur sot edhe një trup i një sulmuesi rreth objekteve përcjellëse të Manastirit të Basnjkës, ka mësuar Gazeta Online Reporteri.net prej burimeve nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës, dje konfirmoi gjetjen e tre sulmuesve të vrarë. Deri tash, Policia e Kosovës në veri nuk ka dhënë ndonjë detaj për trupin e sotëm të pajetë që u gjet.

Gazeta Online Reporteri.net po ashtu ka mësuar se Policia e Kosovës po vazhdon edhe sot aksionin në kërkim të sulmuesve tjerë të vrarë, për shkak se ekzistojnë dyshimet se ka edhe trupa tjerë përreth.

Policia e Kosovës dje gjatë shkëmbimit të zjarrit me terroristët ka vrarë katër sulmues të konfirmuar deri tash, derisa dy terroristë tjerë janë arrestuar dje dhe bashkë me ta katër persona të dyshuar të cilët ishin kapur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

Gjendja momentale në veri mbetet e qetë.

Policia e Kosovës sot do të bëjë edhe çarmatim e armëve që ka konfiskuar prej sulmuesve.

Njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh, i ka konfiskuar.

Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe./Reporteri.net/

Baby Boo