Gëzuar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së tokës që na mësoi së ç’është LIRIA!


Vite më parë, teksa përpiqesha me gjithë qenien time t’i jepja edhe më shumë seç i kisha dhënë Universitetit, në vazhdën e punëve dhe rutinën e ngjeshur teksa mbaja hapur mbi tavolinën e punës romanin e Dale Carnegie “Të panjohurat e Linkolnit” pranova një telefonatë shumë të ngrohtë nga Northern Illinois University.

Mbaj mend si sot, që vështroja jashtë dritares dhe shihja se si valëvitej flamuri amerikan, flamuri i shpresës dhe lirisë dhe në sfond në telefonatën e përtej oqeanit po më komunikoheshin këto fjalë që do të qëndrojnë gjatë në kujtesën time:

“Jemi tejet mirënjohës për bashkëpunimin e frytshëm midis dy Universiteteve tona, jemi thellësisht krenarë për ecurinë e Universitetit të Tetovës dhe rolin tuaj emblematik në këtë vatër të dijes dhe në emër të bordit administrues të Northern Illinois University, kemi nderin t’ju ndajmë titullin Doctor Honoris Causa me propozimin e stafit akademik dhe me rekomandimin e stafit drejtues të Universitetit. Këta tituj u ndahen personave të cilët e kanë dëshmuar veten si udhëheqës dhe inovatorë në fushat e tyre dhe kjo mirënjohje e thellë vjen si rrjedhojë e angazhimit permanent në sendërtimin e Universitetit, për rolin pozitiv që luan në të mirë të komunitetit të gjerë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në rajon, promovimin e vlerave të mirëfillta akademike dhe shoqërore si dhe bashkëpunimin universitar në rrafshin global.”- përfundoi zëdhënësi i Northern Illinois University.

Po i dëgjoja këto fjalë me koncentrim të paparë dhe përpara syve m’u shfaq e gjitha jeta ime që i ngjante një ‘rollercoaster-i’… I kisha kaluar gjithë vitet e mia të karrierës pa e ditur që një ditë, si admirues i flaktë që isha për historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të shpërblehesha në këtë mënyrë, pikërisht nga ky vend…

Jeta ime, në këtë pikë, bashkë me dritëhijet e veta, i ngjante kaq shumë romanit që po e lexoja, pra jetës së Linkolnit, me peripeci dramatike, raporte të ndërtuara me besnikëri skrupulloze e deri në vetëmohim, vetëm e vetëm për një ideal, për UNIVERSITETIN, paçka se kjo nuk m’u kthye kurrë…

Monteskie mendonte që autorët dhe veprimtarët nuk janë gjykatës dhe vlerësues të mirë të veprave të tyre, kështu mendoja dhe unë, deri atë ditë kur mundi im u shpërblye dhe e gjithë maratona ime mori kuptim. Kjo mirënjohje kurorëzoi suksesin tim dhe mbi të gjitha djersën time. Nuk është e rastit ndërthurja mes urimit të 4 Korrikut dhe retrospektivës sime.

Me këtë urim, dua që edhe një herë të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe të palëkundur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky është qëndrim të cilin askush nuk mund ta kontestojë.

Orientimi im drejt vlerave që SHBA-të përçojnë është i etabluar në kodin tim gjenetik dhe gjenetika na ka mësuar që ADN-ja është materiali i trashëguar që e ruan gjithë informacionin gjenetik të nevojshëm për ta transmetuar atë te brezat e ardhshëm.

Këtë dashuri dhe mirënjohje të thellë që kam për vlerat euro-atlantike, dua ta lë trashëgimi te brezat që pasojnë, sepse ky orientim dhe rreshtim me këto vlera, është rruga jonë e vetme dhe qëllimi ynë fundor.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Baby Boo