Gazetarët e quajnë të panevojshëm Ligjin për Media

Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka avancuar me iniciativën për hartimin e Ligjit për Media.

Baby Boo

Kësaj radhe ky Komision, në bashkëpunim me Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), dhe me përkrahjen e USAID, ka lansuar hulumtimin parlamentar për Ligjin për Mediat, me anën e të cilit ka ofruar një analizë për kornizën ligjore që rregullon çështjet e medias në Kosovë si dhe praktikat e gjashtë vendeve të tjera të Evropës.

Ky hulumtim, i punuar nga eksperti i jashtëm për media Zekirja Shabani që u kontraktua nga KDI-në, për komisionin parlamentar, prezanton praktikat e Gjermanisë, Francës, Kroacisë, Sllovenisë, Estonisë si dhe Malit të Zi sa i përket lirisë së shprehjes si dhe hartimit të ligjeve të veçanta për media.

Autori i raportit, Zekirja Shabani, me këtë rast ka prezantuar të gjeturat, duke pohuar megjithatë, që pavarësisht faktit se ka shtete anëtare të BE-së që kanë ligj për media, Kosova i ka të rregulluara bukur mirë çështjet që lidhen me gazetarët dhe mediat në kornizës ekzistuese ligjore.

Sipas Shabanit, është e nevojshme të shihen praktikat e vendeve ndërkombëtare e demokratike, sidomos ato evropiane, sa i përket kësaj çështje. Megjithatë, sipas tij, duhet po ashtu të diskutohet për atë nëse më të vërtetë i duhet Kosovës një Ligj për Media.

“Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media pretendon të rregullojë atë që është më problematikja për të gjithë botën dhe vendet edhe më demokratike, ‘fake news’ [lajmet e rrejshme] dhe mediat online, apo portalet qysh ne i njohim në Kosovë. Por para se të bëjë një gjë të tillë, besoj secili prej nesh ka nevojë me dit se cila është rruga që duhet me ndjekë, cilat janë praktikat ndërkombëtare të zbatimit ose të funksionimit të legjislacionit për media dhe çfarë shembujsh duhet me ndjekë Kosova, dhe a i duhet në të vërtetë Kosovës një ligj i tillë”, ka thënë Shabani.

Tutje, Shabani ka treguar se raporti jep shembuj mbi atë se si vendet evropiane si Gjermania, Franca, Estonia, Sllovenia, Kroacia dhe Mali i Zi i kanë rregulluar me ligj çështjet e mediave, dhe sukseset e tyre.

Megjithatë ai ka thënë se krahasimi i Kosovës me vendet e tjera, për shkak të realiteti të ndryshëm në terren është i vështirë.

Sipas hulumtim të lansuar sot, pasqyra e përgjithshme rregullative ligjore e medias në Kosovë dhe vendet tjera tregon për një garancë të lirisë së shtypit me bazë në Kushtetutë të shteteve dhe liri të garantuar të shprehjes në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, direktivat evropiane dhe praktikat gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e njeriut.

Po ashtu thuhet se korniza ekzistuese ligjore dhe institucionale në fushën e medias në Kosovë ku përfshihen legjislacioni për shpifje, gjuhë të urrejtjes dhe fyerje është në harmoni me praktikat dhe parimet e shteteve të EB-së dhe ofron rregullativë të kënaqshme për këtë fushë.

Në Kosovë ekzistojnë dy organe që rregullojnë çështjet e mediave duke u bazuar në kornizën ekzistuese ligjore. Njëri i raporton Kuvendit, e që është Komisioni i Pavarur për Media (KPM), si dhe tjetri konsiderohet organ vetërregullues – Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

Kryetari i sapoemëruar i KPM-së, Muja Ferati tha se ky organ punon me standarde të larta profesionale e të pranuara edhe ndërkombëtarisht. Megjithatë, sipas tij, ka hapësira për rregullime ligjore, anipse Ferati nuk i përmendi se cilat janë ato.

Sipas tij është e vështirë të ipet një qëndrim pa pasur një draft të Ligjit të cilën deputetët të Komisionit parlamentar për Media, e kanë propozuar. Por Ferati tha se KPM nuk përkrah asnjë ligj që vështirëson punën e mediave dhe gazetarëve dhe i censuron ato.

“Politika e transmetimit të KPM=së është në përputhje me standarde të pranuara ndërkombëtare e në veçanti me direktivën e Komisionit Evropian duke respektuar plotësisht demokracinë, sundimin e ligjit, mbrojtjen e lirisë dhe shprehjes dhe pluralizmin e shërbimeve mediale. Shkurt mendoj se nuk është mjaftueshëm rregullimi te na për mi mbulu të gjitha kushtet sidomos kur kemi të bëjmë me zhvillim intensiv të teknologjisë në fushën e mediave. Sidoqoftë ne e përkrahim iniciativën për me u plotësu këto fusha që janë duke u nisur nga fakti se demokracia mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse ligje të mira dhe lehtë të zbatueshme e të cilat garantojnë ambient të sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ferati.

Imer Mushkolaj nga KMSHK-ja, ka thënë se tentativa e deputetëve për të arsyetuar Ligjin për media në emër të asaj se është “i nevojshëm për të disiplinuar mediat online”, është e rrezikshme.

“Nuk e quaj as iniciativë, por si paralajmërim që mund të ndodh, sepse në këtë rast nuk kemi as fillim të punës për hartimin e ligjit. Për mua është një arsyetim shumë i pa arsyeshme kur thuhet se Kosova do të duhej të kishte një Ligj për Media dhe qëllimi është që të disiplinojmë portalet. Vetë logjika e tillë është shumë e dëmshme dhe nuk besoj që do të duhej të ishte kështu, për më tepër kjo më shtin me mëndu se kjo iniciativë nis prej premisave shumë individuale, emocionale e personale të dikujt që është tash në Komisionin për media por që nuk mund të jetë nesër. Edhe një ligj nuk bëhet për një mandat qeverisës, respektivisht për një kohë që dikush mund ta marrë si iniciativë por është një ligj që konsiderohet se duhet të behët për një afat kohor më të gjatë natyrisht”, ka thënë ai.

Mushkolaj po ashtu u shpreh i bindur që legjislacioni aktual në Kosovë është i mjaftueshëm që të rregullojë fushën e medias dhe gazetarëve, ngase momentalisht ka 8 ligje që rregullojnë këtë fushë. Ligje këto që nuk janë të përfshirë në një ligj të vetëm, që do të mund të quhej ligj për media, por që rregullojnë fusha të caktuara. Sipas tij, problemi qëndron tek mos zbatimi i ligjit, ashtu siç mungon në shumë sfera në Kosovë e jo vetëm në fushën e medias.

Kategorikisht kundër ligjit për media ndërkaq është shprehur drejtori i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Petrtit Qollaku.

Ky ka kritikuar deputetët e Komisionit parlamentar për media, duke thënë se me vizitën e tyre nga Italia dolën me rekomandime për një Ligj të panevojshëm dhe që shihet si tentativë për t’a vënë nën kontrolle median.

“Ndoshta është dashur të shkohet diku si kah Skandinavia si në Suedi për të parë një transmetues publik atje më të mirë. Edhe AGK ka reaguar me këtë rast dhe ne i kemi shprehur shqetësimet tona duke thënë se një iniciativë e tillë e pashpjeguar dhe me qëllim duket se thjeshtë ka kontrollin e mediave, censurimin e mediave, censurimin gazetarëve…thjeshtë mendova dhe duke u kujtuar nëse ndonjëherë ka pasur nga ky Komision për ndonjë rast të kërcënimit apo sulmit fizik ndaj ndonjë kolegut tonë këtu dhe përkundër asaj kanë pasur qasje tjera, duke ditur se njëri prej anëtarëve të këtij Komisioni [për media] ka linçuar publikisht disa mediume dhe fatkeqësisht preja atyre komenteve të bëra në foltore të Kuvendit të Kosovës ka ndodhur edhe sulmi fizik në qendër të Prishtinës ndaj kolegut tonë Vehbi Kajtazi”, ka thënë Qollaku.

Reagime gjatë diskutimit në lidhje me idenë e hartimit të një Ligji për Media pati edhe nga gazetarët të cilët kërkuan përgjigje për atë se çka Komisioni parlamentar po kërkon të rregullojë e që nuk është e rregulluar tani me ligjet ekzistuese sa i përket mediave. Kritika pati edhe në drejtim të faktit se asnjë anëtarë i komisionit nuk ishte i pranishëm për të debatuar në lidhje me këtë iniciativë

Restorant Lumare