Fjalët që e nervozuan Mogherinin dhe BE’në


Republika e Kosovës mirëpret Këshillin e Tretë të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me qëllim të rishikimit të progresit dhe sfidave në rrugën tonë europiane.

Përkundër neglizhencës dhe mungesës së qartësisë për perspektivën tonë europiane nga ana e BE-së, Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët.

Qëndroj këtu sot si kryeministër i një shteti sovran. Unë përfaqësoj popullin tim që ka vuajtur për besimin e tij në liri – dhe vazhdon të vuajë edhe sot.

Me bindje të plotë mund të them se nuk ka vend në Europë më të përkushtuar ndaj idealeve të Bashkimit Europian se sa Kosova. Vlerat tona janë vlerat tuaja, shpresat tona për fëmijët tanë janë të njëjta me shpresat tuaja për fëmijët tuaj.

Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini edhe më dinamike. Ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale. Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm, nuk mund të tregtojnë lirshëm, nuk mund të luajnë lirshëm dhe nuk mund të jenë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë në komunitetin e kombeve të lira. Përkundër këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të nivelit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion. Dhe kjo shumë lehtë mund të ketë qenë arritje e Europës.

Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara, siç është konfirmuar nga Komisioni në muajin maj, përgjigja që marrim nga BE, është gjysmake dhe e pashpresë.

Edhe përkundër angazhimit të plotë në Agjendën e Reformës Europiane(ERA), dhe reformave të fuqishme të ndërmarra për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe institucionet e tij, Kosova ndjehet e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga BE. Njerëzit tanë sprovohen përtej asaj që është e arsyeshme dhe e drejtë. Koha nuk është miku ynë. Duhet të shohim progres konkret.

Të nderuara shtete anëtare të BE-së, kjo është thirrja ime për ju:

Duhet të përshpejtojmë dhe konkretizojmë proceset e integrimit. Caku përfundimtar i rrugëtimit është i qartë – por ende, nuk është i prekshëm për ne.

Kemi nevojë për një sinjal të qartë nga ju se i respektoni arritjet tona dhe se kemi mbështetjen tuaj, në mënyrë aktive, veçanërsiht në realizimin e lëvizjës së lirë për qytetarët e Kosovës.

Qeveria dhe unë, asnjëherë, nuk e kemi vënë në pikëpyetje rëndësinë e dialogut. Kjo është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë, që të bëhemi anëtarë të barabartë të familjes europiane.

Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalur krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet.

Baby Boo