Fitër Bajrami, familja Bekiri bëhet me shtëpi të re. “Kalliri i Mirësisë”: Japim maksimumin të gëzojmë ata që kanë nevojë


Familja Bekiri, tetë vite më parë, ka jetuar në fshatin Brezë në kushte të mjerueshme, më pas ata zbresin në Haraçinë të Shkupit, por jeta e tyre nuk është se kishte pësuar ndonjë ndryshim në aspektin ekonomik. Katër vëllezër me familjet e tyre, posedonin vetëm nga një dhomë dhe sa më shumë që rriteshin fëmijët, jeta vështirësohej.
Kryefamiljari, Selatin Bekiri, punon me bujqësi dhe blegtori për të siguruar kafshatën e gojës, pavarësisht shëndetit të thyer. Nga sëmundja që e goditi u detyrua t’u nënshtrohet disa operacioneve të njëpasnjëshme dhe kjo e bënte edhe më të paprekshme ëndrrën për të pasur një shtëpi.
“Kemi jetuar në kushtet më të këqija në fshatin Brezë, kemi pasur shtëpitë më të këqija të ndërtuara para 100 viteve. Kemi ikur prej Breze, kemi ardhur këtu poshtë për t’i shkolluar fëmijët, më afër mjekët, më afër shkolla, për kushte më të mira. Vetë nuk kam pasur mundësi të ndërtoj shtëpi sepse kam qenë i sëmurë, se kam pasur disa operacione”,– theksoi kryefamiljari, Selatin Bekir.
“Si kemi ardhur prej Breze, katër vëllezër, kemi pasur vetëm nga një dhomë, aty kemi qenë përherë. Burrin e sëmurë e kam pasur, vajzën e sëmurë, vetë gjithashtu jam i sëmurë prej astmës”,- theksoi kryefamiljarja.
Kryetari i Kallirit të Mirësisë, Rifat Sherifi, thotë se përmes donatorëve u arrit të gëzohet familja Beqiri me një shtëpi prej 80 metrash katrorë.
“Kemi tentuar të bëj çmos për t’u siguruar shtëpi dhe ja që deshi Zoti tani në këtë Ramazan ky synim i joni u realizua. Sa i përket donatorit bëhet fjalë për një afarist të dalluar nga Shkupi, i cili nuk e ka ndërtuar vetëm këtë shtëpi, por edhe disa shtëpi të tjera dhe ka donuar në shumë projekte humanitare”,– theksoi Rifat Sherifi nga Organizata Humanitare “Kalliri I Mirësisë”.
Rifat Sherifi njoftoi se gjatë festës së Bajramit do të  gëzohen edhe 600 fëmijë jetimë me veshje, që edhe ata si të gjithë fëmijët e tjerë të përjetojnë gëzimin e kësaj feste.
Baby Boo