Financimi i partive, OJQ-të kërkojnë transparencë dhe reduktim të donacioneve


Një organ ose institucion i ri i cili do të kishte nën kontroll mënyrën e financimit të partive, sipas OJQ-ve është zgjidhje për mënjanimin e keqpërdorimeve dhe korrupsionit në këtë fushë. Sipas tyre, rregullativa ligjore aktuale është bazë e mirë por problemi qëndron tek transparenca dhe kontrolli i procesit të financimit të partive.

Financimi të jetë me integritet, të jetë transparent, i përgjegjshëm, të dihet kush kënd e financon dhe si, dhe të ketë kontroll mbi donacionet dhe financimet për të cilat mbetet e paditur prej nga vijnë paratë. Edhe aty ku në pjesën më të madhe partitë politike financohen nga buxheti është lejuar një masë e caktuar e financimeve ndërsa tek ne problem është kontrolli i donacioneve. Forma më të shpeshtë e korrupsionit politik është se subjektet që japin mjete të mëdha për partitë pastaj presin shërbime nga njerëzit që vijnë në qeveri – Sllagjana Taseva, Transparency Internacional.

Edhe ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska thotë se financimi i partive politike nga buxheti i shtetit do të parandalonte korrupsionin por për këtë do duhej buxhet më i madh.

Fakt është se duhet të punojmë në përforcimin e mekanizmave për implementimin e normave ligjore sepse tek ligjet tona qartë është e shkruar cilat mënyra të financimit janë të ndaluara këtu përfshihet financimi nga burime të jashtme, financim nga institucionet shtetërore, etj. Një nga opsionet është financimi nga buxheti i shtetit, nuk mund të përgjigjem nëse për momentin kjo është e mundur të zbatohet në vend duke marr parasysh kufizimet buxhetore që i kemi por për çdo rast ajo është një ndër mekanizmat për rritjen e kontrollit dhe përjashtimin e çfarëdo financimi jo ligjor – Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Artan Grubi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim thotë se edhe ata përkrahin financimin e partive politike nga buxheti shtetëror me qëllim të rritjes së transparencës.

Ne jemi për një financim të qëndrueshëm buxhetor të partive politike duke përforcuar në të njëjtën kohë edhe llogaridhënien edhe transparencën si dhe mbikëqyrjen e harxhimit të fondeve të cilët do i kishte marrë çdo parti politike fituese parlamentare nga buxheti i shtetit – Artan Grubi – BDI.

Këto konkluzione u dhanë në konferencën “Përmirësimi i modelit të financimit për partitë politike në Maqedoni” nën organizimin e Institutit demokratik ndërkombëtar në bashkëpunim me Transparency Internacional. Ndryshime eventuale në mënyrën e financimit të partive kohë më parë u paralajmëruan edhe nga Qeveria./Alsat

Baby Boo