Mijallkov dhe policët thanë se nuk ndjehen fajtorë për veprën penale për rastin “Tortura”. Prokurori special, Ljubomir Llape, në fjalët e tij hyrëse tha se do të dëshmohet se të pandehurit më datën 06.06.2011 kanë ushtruar dhunë brutale, e kanë maltretuar dhe i kanë shkaktuar vuajtje të madhe shpirtërore Boshkovskit.
E gjithë kjo është bërë me urdhër të ish-drejtorit të DSK-së, Sashko Mijallkov, i cili për shkak të bindjeve të ndryshme politike, e ka inskenuar aksionin e dhunshëm policor ndaj tij, tha prokurori Llape në gjykatë.
Avokati i Mijallkovit, Petar Vasilev, kërkoi nga gjykata që të pandehurve t’u pranohet amnistia e presidenti Ivanov, ndërsa avokatët e tjerë, Ljupço Shvrgovski dhe Mile Petkovski, thanë se Mijallkov nuk ka dhënë urdhër për një arrestim të tillë, dhe se aksioni policor është kryer në bazë të ligjit. Boshkovski shpreson në drejtësi dhe tha se do të kërkojë dëmshpërblim financiar.
“Ju ishit dëshmitarë se si arrestimi im i parë ishte maltretim brutal dhe si ishte inskenuar arrestimi im i dytë vetëm se një kamerë televizive nuk e ka filmuar arrestimin tim të parë. Të pandehurit në gjykatë folën për pafajësi, megjithëse unë po shpresoj se në një procedurë të drejtë gjyqësore do të dëshmohet e kundërta e asaj që thanë ata në gjykatë”,- u shpreh i dëmtuari, Ljube Boshkovski.
Në seancën e ardhshme gjyqësore të caktuar për më tre shtator, i pari do të dëshmojë i dëmtuari Boshkovski dhe më pas dëshmitarët e tjerë të PPS-së.
Në listën e provave të PPS-së janë dhe video-incizimet e arrestimit nga RTVM, TV “Alsat-M”, “Tellma”, “Alfa” dhe MPB.