Filloi debati për pr/ligjin për media, rrogat në AShAAV përplasin pushtetin dhe opozitën


Opozita kërkoi, por mazhoranca nuk e pranoi amendamentin për uljen e mjeteve financiare të parashikuara për ta, prej 4 në 2 rroga mesatare. Opozita vlerëson se ky është shpenzim i panevojshëm, i cili nuk garanton cilësi më të mirë të punës së tyre.

“Ju para opinionin premtuat shpenzime modeste të mjeteve buxhetore, premtuat se nuk do të ketë shpenzime të panevojshme të parave të qytetarëve. Me këtë që po propozoni tani dëshmoni të kundërtën, se nuk mbani llogari për paratë e buxhetit”,- tha Sllagjana Mitevska nga VMRO-DPMNE.

“Pagë më e lartë duhet të ketë kryeministri, sepse jemi në demokraci parlamentare. Pastaj vjen kryetari i shtetit dhe të tjerët më poshtë të ranguar. Cilën punë aq profesionale do ta kryejnë anëtarët e ardhshëm të Agjencisë në media që të paguhen aq shumë, kur dihet se punojnë në përputhje me ligjin”,- theksoi Bllagoja Despotovski nga VMRO-DPMNE.

Sipas shumicës, pagat e këtyre anëtarëve mbeten njëjtë sa edhe deri më tani, katër rroga mesatare në muaj, plus shpenzimet dhe mëditjet tjera.

Risia është vetëm në pjesën që tani këta anëtarë do ta kenë rreptësisht të ndaluar, që të punojnë edhe në të tjera vende.

Shumica arsyetohet se me më pak të holla askush nuk do të jetë i interesuar të konkurrojë në AShAAV.

“Propozojmë që trupi profesional, i cili do të zgjidhet në konkurs, vetë të përcaktojë se sa do të jenë pagat për ta, por kufirin maksimal do ta kenë deri më katër paga mesatare”,- u shpreh Dime Nekollovski nga LSDM.

“Konstatimet e përgjithshme janë se duke marrë parasysh mënyrën e përzgjedhjes dhe kandidimi i tyre me program të caktuar, ndoshta nuk do të kishim kandidatë të mjaftueshëm ose nuk do t’i zgjidhnim profesionistët e nevojshëm për këtë agjenci”,- u shpreh Rexhail Ismaili nga BDI.

Ministri Mançevski thotë se pagat më të mira garantojnë profesionalizëm dhe pavarësi të anëtarëve, duke i çliruar ata nga “kthetrat” e politikës, siç u shpreh.

Emërimi i anëtarëve të rinj është paraparë të bëhet me dy të tretat e votave dhe përmes zbatimit të parimit të Banditerit.

“Po tentojmë të gjejmë profesionistë që do të jenë të motivuar, sinqerisht të punojnë, persona të cilët do të duhet t’i braktisin vendet e tyre të punës dhe të vijnë të punojnë në Agjencinë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele, shpresoj në kohë më të gjatë, persona të cilët bashkërisht me konsensus do të duhet t’i votojmë në këto vende”,- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Për propozim ligjin e ri për media, i cili është në lexim të dytë, janë parashtruar 75 amendamente.

VMRO-DPMNE përmes amendamenteve me këmbëngulje kërkon të mos ndërpriten mandatet e përbërjes aktuale të Këshillit programor të RTVM-së dhe të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele.

Baby Boo