Filipçe: Personeli mjekësor do të shpërblehet! 250 mijë euro për repartin e kirurgjisë në Gostivar


Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe nga Gostivari paralajmëroi se të gjithë të punësuarit shëndetësor që janë përballur me pandeminë e Covid- 19, do të marrin nga Qeveria shpërblim muajt e ardhshëm. Filipçe këtë e deklaroi gjatë përurimit të repartit të kirurgjisë në Gostivar.

“Mbajmë llogari për të gjithë ata që janë kyçur në këtë betejë dhe me ribalancin e buxhetit është ndarë një shumë e madhe që do të shkojë si shpërblim në muajt e ardhshëm për të gjithë të punësuarit shëndetësor që punojnë me pacientët me Covid-19. Më lejoni ta paralajmërojë edhe magnet rezonancën edhe pse e paralajmëruar për këtë vit, për shkak të krizës u anulua dhe për herë të parë spitali i Gostivarit do të pajiset me rezonancë magnetike vitin 2021”, u shpreh Filipçe.

Drejtori i spitalit Jakup Jakupi, tha se tani ky repart është komplet i ri. Ai theksoi se në të njëjtin nuk ishte investuar që nga viti 1978 kur edhe është ndërtuar ky spital.
“Investimi është 15 milion denarë, afër 250 mijë euro. Duke pasur parasysh se disa hapësira janë zvogëluar ose riadaptuar ne kishim 32 shtretër, tash kemi 36 që tregon se kapaciteti është rritur”, tha Jakupi.

Ndërsa zv/kryeministri i parë Artan Grubi tha se në këto ditë të vështira heronjtë e vërtet të Maqedonisë janë mjekët dhe personeli mjekësor.
“Ne çdo ditë festojmë përpjekjet tuaja heroike si mjek, personel mjekësor, në betejën e madhe që e keni me pandeminë, dhe unë me përulësi ju falënderoj për çdo angazhim që bëni se me të vërtet ju jeni heronjtë tanë të përditshmërisë”, u shpreh Grubi.

Në spitalin e Gostivarit për momentin ka 70 shtretër për të infektuarit me Covid 19, ndërsa në këto hapësira ka 37 pacientë të shtruar.

Baby Boo