Fëmijët të rrezikuar nga COVID-19 si pasojë e rritjes së infektimeve në shkolla


Komisioni për Sëmundjet Infektive situatën epidemiologjike në vend e vlerësoi si të përmirësuar, por jo të mirë për faktin se është rritur numri i rasteve të reja me Kovid-19 tek fëmijët e moshës gjashtë vjeçare deri në 14 vjeç. Nga KSI bëjnë apel të gjithë qytetarëve që të marrin dozën e tretë të vaksinës, si mënyra më e mirë dhe e vetme për t’u mbrojtur nga simptomat e rënda, shtrimi në spital dhe nga vdekja.

Ndërsa për sa i përket certifikatave të kovid, për momentin nuk ka plane për heqjen e tyre. “Ka një rënie të rasteve të reja të të infektuarve me Kovid-19, e cila nënkupton përmirësim të situatës epidemiologjike, por nuk na jep të drejtë të themi se gjendja epidemiologjike është e mirë, ndërsa tek grup moshat nga 6 deri në 14 vjet, vërehet rritje e numrit të rasteve të reja, e këto janë pikërisht nxënësit e shkollave që e ndjekin mësimin me prezencë fizike”, ka thënë kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Aleksandar Petliçkovski.

Komisioni ka bërë të ditur se në Shkup janë caktuar datat e testimit për Kovid-19, të vendosura në punktet e Gjorçe Petrov, Idadia dhe Bit Pazar, që për qëllim ka të përshpejtuarit e testimeve dhe njohjen e imunizimit kolektiv. Duke qenë se numri i fëmijëve të sapo infektuar nën 14 vjeç është rritur dukshëm, Petliçkovski apelon nxënësit dhe prindërit që ta pranojnë testin.

Komisioni ndër të tjera propozon që fakultetet ku mësimi nuk zhvillohet me prezencë fizike por onlajn, të fokusohen në praninë fizike në përkujdesje maksimale dhe të mbështeten sërish në vaksinimin e studentëve dhe të profesorëve. Të gjitha analizat e institucioneve shëndetësore tregojnë se shumica e viktimave nga Kovid-19 kanë qenë të pavaksinuar ose nga ata që kanë marrë dy doza më shumë se gjashtë muaj më parë. “Sipas shifrave nga 1 janari deri në 31 janar, nga 382 të vdekur, 233 janë të pavaksinuar, dhe rreth 150 e diçka janë të vaksinuar, por shumica e të vaksinuarve janë vaksinuar më shumë se gjashtë muaj më parë dhe nuk kanë marrë dozën e tretë. Rreth 30, nga ana tjetër, janë vaksinuar për më pak se gjashtë muaj”, informon Petliçkovski.

Sipas KSI-së apeli i tyre për vaksinim me dozë të tretë ka arritur vetëm te qytetarët e mbi 70 vjet, por jo edhe tek të tjerët, ndërsa vdekshmëria kumulative nga Kovid-19, nga fillimi i sëmundjes e deri më sot, është tre për qind. Për sa i përket infektimit të disa nxënësve deri më tani nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka ndonjë vendim përkatës, pasi që sipas tyre akoma mbetet që gjërat duhet të shihen sipas situatës së epidemiologjisë dhe vendimeve përkatëse të ekspertëve shëndetësorë.

Baby Boo