Fantazmat e dronit, serbët: Duket sikur po luajmë me Shqipërinë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçic, ishte në një takim me homologun e tij liberian, Milton Findlej, i ftuar special pas vendimit që qeveria e drejtuar nga ish-futbollisti i Milanit, Zhorzh Ueah, ka marrë për të riparë vendimin për Kosovën.

Baby Boo

Pasi Liberia e kishte njohur në vitin 2008, së fundmi ka vendosur që të tërhiqet pas dhe të mos e njohë më pavarësinë e Kosovës. Dhe duke qenë se jemi në atmosferë Botërori, në mes të sportit ka hyrë edhe politika. Kjo nisi nga komplimentet që ministri i Jashtëm i Liberisë i bëri Daçiçit për debutimin me fitore të Serbisë kundër Kosta Rikës, shteti i parë që njohu pavarësinë e Kosovës dhe kaq mjaftoi që nga diplomacia vëmendja të kalojë te futbolli.

“Do të dëshiroja shumë që Serbia të kishte në përbërje të saj një futbollist aq të madh saç ka qenë presidenti i Liberisë, Zhorzh Ueah, por në të njëjtën kohë jam i lumtur që në grup u hakmorrëm ndaj Kosta Rikës. Këta janë vendi i parë që njohën pavarësinë e Kosovës, por jam shumë i bindur se asnjë prej popullsisë së tyre nuk e ka idenë se ku bie ajo. Jam i sigurt se ata e njohën se dikush u tha që ta bënin, pa ndonjë motiv konkret”, nënvizon Daçiç, i cili më pas është thelluar edhe më shumë, në lidhje me pragsfidën mes Serbisë dhe Zvicrës, ku luajnë mjaft shqiptarë.
“E di se politika me sportin nuk duhet të përzihen. Por duke parë ndeshjen e së premtes (sot) duket e pamundur që ta bëjmë. Sa më shumë afron sfida, aq më shumë nuk arrij të kuptoj nëse kombëtarja jonë do të luajë përballë përfaqësueses së Zvicrës, asaj së Shqipërisë apo të Prishtinës”.
Ndërkohë, në konferencën për shtyp përpara sfidës së sotme, pati edhe nga ata gazetarë që tentuan të thumbojnë disi mbrojtësin e Serbisë, Dushko Tosiç, por ky i fundit nuk ka dashur që të bjerë në provokim.

“Frikë nga një tjetër surprizë shqiptare? Nuk dua që të hyj në një debat të tillë. Madje, jam i bindur se ajo që ndodhi në Beograd nuk do të ndodhë kurrë më. Në sfidën me Shqipërinë u treguam shumë naivë. E dimë mjaft mirë se çfarë luhet në ndeshjen e nesërme, si brenda, ashtu sikurse jashtë fushe, por ne nuk do të biem në provokime të tillë. Duam të fitojmë dhe të avancojmë në këtë Botëror”, deklaroi futbollisti i Guangzhu R&F.