Erdoganit do t’i bëjnë atentat në Ballkan? Reagon Kryeministria turke


Kryeministria turke ka reaguar pas raportimeve mediatike se një atentat po përgatitet kundër Presidentit turk, Rexhep Tayyip Erdogan, i cili pritet të vizitojë nesër Ballkanin.

Më herët të shtunën, agjencia turke shtetërore e lajmeve “Anadolu Agency” raportoi se pjesëtarë të minoritetit turk në Maqedoni kishin informuar inteligjencën turke mbi ekzistencën e indikacioneve për përgatitjen e një atentati të mundshëm ndaj Presidentit turk i cili pritet të vizitojë Ballkanin.

Sipas medias turke, edhe agjencitë perëndimore kanë njoftuar autoritetet turke se “një grup shtetasish turq po përgatiteshin t’i bënin atentat Erdgoanit.”

Lajmet u konfirmuan edhe nga Zëvendëskryeministri, ministri i Drejtësisë dhe zëdhënësi i qeverisë turke, Bekir Bozdag.

Në një postim në rrjetet sociale, Bozdag tha se “e dimë që ka qarqe që duan ta vrasin Presidentin tonë dhe që janë të shqetësuar nga një lider i tillë kaq i madh dhe kaq i përkushtuar ndaj çështjes së tij.”

Ai tha se informacionet për përgatitjen e atentateve kundër Presidentit turk janë diçka e përhershme, por paralajmëroi të gjithë kundërshtarët se “Recep Tayyip Erdoğan nuk është nga ata që frikësohet nga kërcënimet me vdekje, apo që heq dorë nga çështja e tij.”

Erdogan planifikohet të zhvillojë një vizitë në Bosnjë ditën e diel, ku pritet të zhvillojë edhe një miting elektoral me turqit që jetojnë në Europë. Vendimi për një miting në Bosnje është marrë pasi disa shtete europiane refuzuan t’i jepnin leje Presidentit turk të zhvillojë takime elektorale me rastin e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare në Turqi, më 24 Qershor.

Sipas sondazheve të fundit të publikuara në median turke, karrigia e Erdogan, për herë të parë pas 16 vitesh në pushtet, rrezikohet seriozisht nga opozita e bashkuar. /tvklan.al

Baby Boo