Ekzekutimi i Kryetarit të Njësisë Administrative në Vlorë,zbardhet dëshmia e autorit:Sherri nisi për politikë


Detaje te reja pas ngjarjes së rëndë, ku Kryetari i Njësisë Administrative Kotë në Bashkinë e Selenicës u vra dje me armë zjarri në lokalin e këtij fshati.

Fatmir Hodo, 64 vjeç, gjeti vdekjen e menjëhershme pasi u qëllua me çifte nga 44- vjeçari Admir Delaj. Ata ishin nga i njëjti fshat, Gumenicë, por viktima mësohet se jetonte në qytetin e Vlorës.

Ngjarja e rëndë, sipas Policisë, ndodhi në një lokal të fshatit Kotë, rreth orës 14:55. Policia bëri të ditur se nga hetimet paraprake të kryera, dyshohet se ngjarja ka ndodhur nga një konflikt i çastit, pasi dy shtetasit e mësipërm kanë konsumuar pije alkoolike bashkë disa minuta para se të ndodhte krimi. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se edhe para tri ditësh, viktima dhe autori kanë konsumuar kafe së bashku dhe mes tyre nuk ka pasur asnjë debat.

Edhe dje ata janë ulur në të njëjtën tavolinë, por pasi kanë konsumuar alkool, kanë nisur të debatojnë, kryesisht për politikë. Viktima, si zyrtar i Njësisë që varet nga Bashkia Selenicë, ishte me bindje të djathta. Ndërsa autori, sipas dëshmitarëve në vend, njihej si militant i PS-së, raporton “Panorama”.

“Në fillim biseda dukej normale, por më pas pati tone të larta mes tyre. Nisën të debatonin për politikë, njëri për PD-në e tjetri për PS-në dhe më pas gjithçka degjeneroi në fyerje. Admiri doli jashtë dhe pas pak u kthye me armën në dorë që e kishte pasur në makinë. Ai qëlloi drejt Fatmir Hodos duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas u largua me shpejtësi me mjetin e tij”, u shprehën dëshmitarë në vend.

Policia bëri të ditur dje se ngjarja ka pasur motiv një debat banal, por nuk përjashtoi as pista të tjera që kanë të bëjnë me detyrën e 64-vjeçarit apo ndonjë problematikë pronash mes dy familjeve (ndonëse nuk ka asnjë indicie për diçka të tillë pasi familjet nuk kanë prona në kufi me njëra-tjetrën).

“Policia e Vlorës dhe e Selenicës, me të marrë njoftim për ngjarjen, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë identifikuar autorin shtetasin Admir Delaj, i cili, pas vrasjes, ishte larguar me automjetin e tij. Forcat e Policisë u vunë në ndjekje të autorit ku pas afro një orë ndjekje, u bë e mundur kapja e tij, në dalje të banesës në fshatin Gumenicë ku kishte mbyllur mjetin dhe po tentonte të largohej”, bëri të ditur Policia. Mësohet se në momentin e ndalimit, ai e ka pranuar krimin.

“E vrava se u grindëm”, është shprehur autori. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit (armë gjahu “Çifte”), si dhe automjetin, me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes, fuoristradë “Benz ML”. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesë është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë tjetër gjahu tip “Çifte”, e cila nuk ka lidhje me ngjarjen, por rezulton pa lejen përkatëse.

 

Baby Boo