E quajti hajn, prokurori Blakaj i kthen përgjigje kryeministrit: Askush nuk qëndron mbi ligjin


Ish-prokurori special i Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje para dy javësh si pasojë e kërcënimeve të pranuara për punën e tij, ka thënë se kryeministrit Haradinaj duhet ta kuptojë që askush nuk qëndron mbi ligjin.

Në përgjigje të akuzave që kryeministri ia ka bërë atij kur e ka quajtur “hajn të pulave” dhe “pishpirik”, Blakaj deklaroi se e respekton luftën që ka bërë Ramush Haradinaj mirëpo u shpreh se sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka kuptim nëse të gjithë qytetarët nuk janë të barabartë para ligjit.

“Përgjigja ime për zotin Haradinaj është se, ai dhe gjithë të tjerët, duhet ta kuptojnë që detyrat e mija si prokuror i shtetit i kam kryer me kompetencë maksimale. Dua t’i njoftoj qytetarët se të gjithë personat e përfshirë në këtë rast, e që janë intervistuar, i kam trajtuzar në mënyrë të barabartë. Kryeministri Haradinaj duhet ta kuptoj se askush nuk qëndron mbi ligjin”, u shpreh Blakaj në një intervistë për emisionin Betimi për Drejtësi.

“Unë kam respekt për zotin Haradinaj dhe për të gjithë ata që kanë luftuar, mirëpo unë besoj se sakrifica dhe lufta e UÇK-së nuk ka asnjë kuptim nëse qytetarët tonë nuk do jenë të barabartë para ligjit”m u shpreh Blakaj.

Blakaj po ashtu ka thënë se gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se dorëheqjen e ka ofruar me qëllim të mbrojtjes së familjes së tij, pasi kishte marrë sugjerime se siguria e tij dhe familjes janë në rrezik.

“Aktualisht e kam statusin e turistit, tash më ka nxit më shumë për të ardhmen time. Duhet të marr një vendim sepse këtu jam me familje. Tash jam në SHBA e kam shtyer dy herë fluturimin sepse nuk ndihem i sigurt të kthehem dhe jam i kërcënuar. Personalisht nuk jam ballafaquar me askënd dhe pesë pare nuk i jap për këtë çështje. Mirëpo në këto rrethana duhet të jem më i kujdesshëm”, u shpreh Blakaj.

Blakaj ndër të tjera tha se është në konsultim me familjen e tij nëse do të kthehet në Kosovë apo jo.

“Asnjëherë nuk e kam menduar të punoj apo të veproj jashtë vendit tim. Tani më duhet një konsultim me familjen për tu kthyer në Kosovë apo jo”, tha Blakaj.