E përsërit Thaçi: Marrëveshja me Serbinë do të jetë shumë e vështirë dhe e dhembshme

KOSOVO. 2012. Hashim Thaçi Prime Minister of the Republic of Kosovo.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë bashkëbisedimit me studentë të UP-së, foli edhe për procesin e dialogut me Serbinë, duke e quajtur si proces shumë të vështirë.

Ai tha se marrëveshja me Serbinë do të jetë e vështirë dhe e dhimbshme.

“Do të jetë marrëveshje e vështirë dhe e dhimbshme. Ne me kompromise kemi arritur shumë. Mbi bazat e kompromisit kemi ecur edhe në Vjenë. Nuk do të jetë betejë se kush kë do ta mund. Synimi është që do të jetë një marrëveshje që palët do të ndihen të dinjitetshme. Kosova nuk guxon të marrë përgjegjësinë e dështimit të dialogut”, shtoi Presidenti, pas pyetjeve të studentëve.

Thaçi tha se do që sa më shpejt që është e mundur të kemi njohje nga Serbia.

Thaçi deklaroi se sipas parashikimeve të BE-së dhe SHBA-ve, marrëveshja me Serbinë mund të arrihet pas 4-6 muajve.

“Jam i gatshëm të rri natë e ditë në tavolinë dhe të diskutoj me Serbinë, por nuk e dua asnjë minutë luftë, as të shoh apo të dëgjoj për asnjë viktimë qoftë shqiptar apo serb”, tha presidenti.

Thaçi u ballafaqua për disa minuta me gazetarët të cilët e pyetën se a do të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Lexoni mirë se çka kanë thënë. Mos predikoni. Marrëveshja do të jetë në mes të vendeve të pavarura dhe sovrane. Unë mendoj që të ndodh pajtimi, por nuk duhet të jetë i njëanshëm. Do të jetë i rëndë. Ne jemi fqinj, nuk mund ta zhvendosim njëri-tjetrin. Mendohet që marrëveshja të jetë mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane dhe të ndodh njohja nga Serbia. Nuk do të lejojmë që të ndodh një marrëveshje tjetër e përkohshme. Nuk është hera e parë që po ndodhin marrëveshje të tilla. Do ta theksoj qartë, marrëveshja do të jetë në nivel, njohje formale dhe vazhdimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Thaçi.