E pabesueshme por e vërtet, ndodh në Kërçovë! 37 vjet më parë filloi ndërtimi i spitalit dhe ende s’ka përfunduar

Është për të mos besuar, por fatkeqësisht është e vërtetë. Spitali që ka nisur të ndërtohet në Kërçovë para pothuajse 40 viteve ende nuk po finalizohet.

Baby Boo

“Ndodhemi në objektin e spitalit të ri të Kërçovës, i cili ka filluar të ndërtohet thuajse para 40 viteve. Ky objekt disa herë është nisur dhe është lënë në harresë. Ka arritur deri në fazën e dytë të ndërtimit, fazën e dytë të ndërtimit e paralajmëroi edhe ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe vitin a kaluar kur vizitoi Kërçovën, ndërsa këtë e paralajmëron edhe ministri i ri i Bekim Sali. Mbetet për tu parë nëse faza e dytë e punimeve do të vazhdojë apo do të startojë dhe do të stopojë siç ka ndodhur rëndomë”, raporton Salije Sadiku, gazetare e TV21.

Në fund të vitit të kaluar filloi faza e dytë e ndërtimit të spitalit. Ato ditë u panë disa kamionë duke lëvizur, u hap një kanal rreth e rrotull, u vendosë një shtresë izolimi rreth objektit të ri, u sollën disa gypa dhe që atëherë po qëndrojnë aty, ndërsa kanali po rri i hapur.
Ministrat e shëndetësisë po ndërrohen, por asnjëri nuk po arrin që këtë punë të çojë deri në fund.

“Kanë filluar punimet, ne periudhën e kaluar kishte një situatë krejtësisht të kryer, dhe unë besojë se ja në periudhën që vjen me këtë punë intensive siç edhe filluan pas fillimit të fazës së dytë spitali do të jetë gati”, deklaroi Venko Filipçe, dhjetor 2021.

Tani ministër është Bekim Sali. Ai e ka radhën për të bërë diçka për këtë spital, i cili lirisht mund të futet në Librin e Ginisit për kohëzgjatjen rekorde të ndërtimtarisë.
Sali tha se këtë spital cilëson si sfidë të tijën.

“Të dhënat e mija flasin se atje po punohet, por dinamika e zhvillimit të punimeve ndërtimore nuk është në nivelin e duhur, unë ende nuk kam arritur ta vizitoj atë spital, natyrisht se është një prej prioriteteve të mija që spitali i Kërçovës ta fitojë ndriçimin e parë dhe funksionimin e tij të parë, natyrisht është një sfidë për mua”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Ky spital ka filluar të ndërtohet në vitet 1985 dhe i lënë në fazën karabinë. Çdo vit vizitohet nga përfaqësues politik dhe premtohet përfundimi i tij, megjithatë Kërcova ende nuk po bëhet me spital të ri.