Dy raste të dyshuara me koronavirus në Podujevë: Dërgohen në Infektivë


Dy raste të reja të dyshuara me COVID-19 nga Komuna e Podujevës janë dërguar për analiza në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Epidemiologia në QKMF-në e Podujevës, Bedrie Rama, ka thënë se bëhet fjalë për dy familjarë të personit nga fshati Dumnicë e Epërme, i cili tashmë ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Njëri nga ta është prindi i tij që jeton në një shtëpi të përbashkët, dhe motra e tij.

“Po, prindi është dërguar dje pasdite për testim për COVID-19. Ka pasur simptoma, po jo shumë të theksuara. Mirëpo, ka edhe sëmundje kronike, është i moshuar dhe e kemi dërgua për verifikim. Sot ka shkuar për testim edhe një e dyshuar me COVID-19. Edhe kjo ka pasur shenja të lehta, por pasi ka pasur kontakt me personin që ka dalë pozitiv, e kemi dërguar që ta vërtetojmë”, ka thënë Bedrie Rama.
Sipas saj, familja e personit me koronavirus është e madhe, por të gjithë të tjerët janë të izoluar dhe se tash për tash nuk kanë shenja të këtij virusi.

“Disa kanë pasur simptoma të lehta të gripit sezonal, por, ne jemi në përcjellje të gjendjes së tyre. Momentalisht nuk ka asgjë shqetësuese”, ka thënë ajo./Koha

Baby Boo