Dy Koretë bëjnë paqe. Kim dhe Moon: Denuklearizojmë gadishullin!


Në një moment të ngarkuar me simbolizëm, presidenti i Koresë së Veriut, Kim Jong-un kaloi vijën ushtarake që e ka ndarë gadidullin që prej fundit të Luftës së dy Koreve, duke u bërë i pari udhëheqës i vendit komunist që shkel në territorin e ish-armikut të tij të madh në 65 vite.
Me të shkelur përtej “paralelit 38”, Kim i shtrëngoi gjatë dorën udhëheqësit koreano-jugor, Moon Jae-in, e shqiptoi fjalët e para të përballjes së rrallë: Po më rreh zemra fort!

Homologu i tij u përgjigj me fjalët se “kalimi i kufirit ishte një vendim shumë i guximshëm”.

Vetëm disa muaj më parë, në gadishull e përtej tij frynte erë lufte, por sot, Moon dhe Kim kanë folur për paqen. E rezultati i pare erdhi: Koreja e Veriut e ajo e Jugut do të firmosin këtë vit Traktatin e Paqes, që i jep fund zyrtarisht konfliktit të armatosur mes dy vendeve.

Dokumenti i quajtur “Deklarata Panmunjom për Paqe, Prosperitet dhe Bashkim në gadishullin Korean” u bë publik pas një dite të ngjeshur takimesh dhe një bisede private prej 30 minutash mes Kim Jong-unit dhe Moon Jae-init.

“Dy udhëheqësit pohojnë solemnisht se nuk do të ketë më luftë në gadishullin Korean dhe një epokë e re e paqes ka filluar”, thuhet aty.

Përplasja e armatosur mes dy Koreve përfundoi në vitin 1953 vetëm me një marrëveshje armëpushimi, e cila nuk u pasua kurrë nga një Traktat Paqeje, që do të thotë se shtetet fqinje janë teknikisht ende në luftë.

Takimi prodhoi edhe një tjetër zotim të rëndësishëm: udhëheqësit e të dy vendeve kanë pranuar të punojnë së bashku për denuklearizimin e gadishullit.

Angazhimi nuk i referohet në mënyrë të qartë Koresë së Veriut dhe ndalimit të aktivitetit të saj nuklear, e nuk ka detaje mbi mënyrën sesi do të realizohet ky proces, ndërkohë që shumë analistë mbeten skeptikë mbi entuziazmin e treguar prej Penianit.

Takimi i nivelit të lartë vjen përpara atij që do të përbëjë zhvillimin më të beftë që dikush mund të imagjinonte përpara pak muajsh: përballjen e Kim Jong-unit me Donald Trumpin. Gjithsesi ka dyshime se programi bërthamor i Koresë së Veriut është rrëzuar vet, për shkak të dëmtimeve të pësuara nga një tërmet i kohëve të fundit.

Top Channel

Baby Boo