Duka porosit dibranët se suksesi i betejës me koronavirusin varet nga ndërgjegjja e tyre


Kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, në konferencën e sotme për shtyp, të zhvilluar pas takimit me Shtabin Operativ të Komunës me të cilin ai menaxhon, situatën epidemiologjike e vlerësoi si alarmante.

“Sipas informacioneve të marra nga Njësia e Shëndetit Publik, situatën me Kovid-19 e vlerësuam si alarmante sepse kemi një numër të madh të të infektuarve, ndërsa sipas vlerësimeve të autoriteteve, pritet që të ketë edhe të tjerë. Nga i pesti i këtij muaji deri dje janë regjistruar 12 të infektuar të rinj. Personi i parë i infektuar tashmë është shëruar, një po mjekohet në spitalin “8 Shtator” në Shkup, ndërsa 10 po mjekohen në shtëpi. Tetëdhjetë njerëz janë në vetizolim”, tha Duka.

Ajo që është veçanërisht shqetësuese, shtoi ai, është fakti që të infektuarit e rinj janë midis moshës 20 dhe 30 vjeç.

Ai theksoi se priten rezultatet e 40 strishove të marra, si dhe për një punonjës kopshti, ku nga 69 strisho të marra, 68 janë negative.

“Rritja e numrit të të infektuarve të rinj, sipas vlerësimit tonë, është lehtësimi i masave kufizuese, mosrespektimi i protokolleve të punës, veçanërisht në kafene dhe restorante, lëvizja në markete, dhe institucione të tjera, veçanërisht bankat, zyrat postare … ku vërehen grupe të mëdha të qytetarëve. Nëse nuk respektohen rekomandimet për mbrojtje, atëherë presim një numër të shtuar të të infektuarve të rinj”, tha Duka.

Ai shtoi se Spitali i Përgjithshëm është i gatshëm ta pranojë çdo pacient të ri dhe se nga Ministria e Shëndetësisë është dorëzuar një pajisje oksigjeni, si dhe 20 shtretër.

“Situata e sigurisë është e qetë. E vetmja gjë që na shqetëson janë informacionet jozyrtare që njerëzit që duhet të jenë në vetizolim ose ata që janë testuar për Kovid-19 ose janë konfirmuar tashmë janë duke ecur lirshëm nëpër qytet. Unë u bëj thirrje të gjithëve që t’i ndjekin me përpikëri rekomandimet sepse suksesi i betejës me koronavirus varet nga ndërgjegjja e vetvetes”, tha Duka.

Ai tha se nëse dikush vëren një gjë të tillë mund të telefonojnë në 834-100 ose stacionin policor./MIA

Baby Boo