<iframe width=”854″ height=”480″ src=”https://www.youtube.com/embed/ElO5nYnyJYI” frameborder=”0″ allow=”autoplay; encrypted-media” allowfullscreen></iframe>
Banorët e fshatrave përreth deponisë “Drislla” vazhdojnë të ankohen për ndotjen. Në shenjë proteste, për dy orë e bllokuan rrugën që të çon në deponi.
“Kjo deponi është rajonale, që nënkupton i shërben qytetit të Shkupit dhe rrethinës, dhe jo qendër në nivel shtetëror. Me hyrje në fuqi të decentralizimit në nivel lokal, komunat t’i krijojnë kushtet për qytetarët e tyre në rajonin e tyre. Ata paguajnë tatim dhe mjetet përfundojnë në komunat e tyre”, tha Boris Banunski, iniciator.
“Dëmton shumë. Kundërmon. Mbrëmjeve nuk mund të rrish në oborr”.
“Po na ndotin. Çfarë të them?! Duan që t’i sjellin këtu mbeturinat nga e gjithë Maqedonia. Nuk mundet. Herën tjetër do të bllokohet gjithë komunikacioni, 2-3 ditë do të protestojmë”, thanë disa protestues.
Për ndotjen, kryetari i qytetit të Shkupit, Shilegov, akuzon pushtetin e mëparshëm. Sipas të parit të kryeqytetit, deri më tani do të duhej të ishte ndërtuar kapacitet për selektimin e mbetjeve por një gjë e tillë nuk është bërë, për shkak të partneritetit të mëparshëm kriminal, tha ai.
“Pres që gjykata që shumë shpejt të sjellë vendim. Unë si kryetar, ose do të hap procedurë të re, ose atë që gjykata e ka zgjedhur si partner, do ta shpejtoj procesin për ndërtim të deponisë bashkëkohore në Qytetin e Shkupit”, tha Petre Shilegov, kryetar i qytetit të Shkupit.
Opozitarja VMRO-DPMNE hedh dyshimet se 200 mijë ton mbeturina nga Struga do të vijnë në deponinë “Drislla” në Shkup.
“Shilegov, në vend të metropolit, nga Shkupi po bën deponi kryesore në shtet. Deponia e Strugës, me supozimin se është e vjetër dhjetëra vite, do me thënë se bëhet fjalë për rreth 200 mijë ton mbeturina. Në “Drisëll” gjithashtu derdhen 150 mijë ton në vit, mbeturina nga Shkupi dhe 35 mijë ton mbeturina nga Tetova”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Ankesat e banorëve të Komunës së Studeniçanit për deponinë “Drislla” tashmë zgjasin me vite. Ata vazhdimisht ankohen për ajrin e ndotur që vjen nga djegia e mbeturinave. Gjithashtu ankesa ka edhe për ndotjen e ujit, nga rrjedha e pistë që vjen nga deponia.
Përgatiti: Besir Arifi