Vaksinimi në Maqedoni, gastronomët thonë se nuk kanë të drejtë t’i detyrojnë qytetarët


Në Maqedoninë e Veriut është rritur dukshëm interesimi i qytetarët për t’u vaksinuar.
Ky interesim i shtuar vjen pas masave të ndërmarra nga qeveria, që do të hyjnë në fuqi më 16 gusht, kush veç tjerash do të kërkohet dëshmi për marrjen e të paktën një doze të vaksinës, për të hyrë në të objektet e gastronomisë, ato të hotelierisë, pjesëmarrjen në ngjarje kulturore, konferencat, tribunat e ndryshme, ku numri i të pranishmëve është mbi 30.

Të mërkurën në Shkup u hapën katër pika të reja të vaksinimit, krahas atyre ekzistuese, me qëllim që të evitohen radhët e gjata të qytetarëve që të janë të interesuar që të vaksinohen.
Vetëm gjatë të hënës, më 9 gusht, një ditë pasi u bë i ditur vendimi i qeverisë, janë vaksinuar 18 mijë qytetarë, ku më shumë se tetë mijë kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Aleksandar Naumovski, 23 vjeç, që të mërkurën mori dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, thotë se këtë vendim e mori pasi u bë e qartë se pa certifikatë të vaksinës nuk do të mund të dalë as me miqtë e as nuk mund të punojë me orar të shkurtuar, ku është i angazhuar në një kompani si shpërndarës i dërgesave të shpejta.

“Erdha të vaksinohem pa bërë termin paraprakisht, sepse siç jemi informuar, nga e hëna , certifikata, me të cilën dëshmohet se jam i vaksinuar, do të jetë e domosdoshme për të dalë me miqtë në lokale. Sigurisht, kjo certifikatë do të më duhet edhe për punë edhe pse pronari nuk na obligoi në mënyrë strike, pavarësisht se disa herë ka theksuar se është e pëlqyeshme që të vaksinohemi”, thotë Naumovski për Radion Evropa e Lirë.

Gastronomët: S’kemi të drejtë të kontrollojmë klientët nëse janë vaksinuar
Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe drejtoresha e Inspektoratit shtetëror të Tregut, Aneta Simeska-Dimoska, të mërkurën kanë diskutuar për “rekomandimet parandaluese, masat e përkohshme, protokollet dhe planet për veprim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga COVID-19”.

Ministri Bekteshi ka shkruar në Facebook se nga java e ardhshme do të intensifikohen kontrollet në objektet e mbyllura të sektorit të gastronomisë dhe në atë të hotelerisë, ku të pranishëm janë më shumë se 30 persona.
Ndaj masave të qeverisë, që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit, ka reaguar edhe Oda e Pavarur e Hotelierëve. Nga kjo odë kanë thënë se stafi i sektorit të gastronomisë nuk ka të drejtë që të kontrollojë klientët nëse janë vaksinuar.

Sipas kësaj ode, kjo masë nuk mund të zbatohet derisa “qeveria të sjellë akte të reja ligjore dhe nënligjore me të cilat do të definohet vendi i punës së personit, që do të këtë të drejtë të kontrollojë qytetarët”.
Ndërkaq, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka thënë se nuk shkelen të drejtat e qytetarëve, nëse gjatë hyrjes në objekte ku janë mbi 30 persona, bëhet verifikimi nëse ata janë vaksinuar.

Hajrulla Hasani, që menaxhon një kompleks hotelierik në “Kodrën e Diellit”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushti për posedimin e certifikatës së vaksinës për të hyrë në restorante apo hotele, do të dëmtojë këtë sektor. Megjithatë, ai thotë se kjo masë është e kuptueshme, marrë parasysh rritjen enorme të rasteve të reja me COVID-19.
“Tani presim një rënie të dukshme nga masat që do të ndërmerren për frenimin e COVID-19, por për mua këto masa kanë qenë të pritshme dhe ndoshta janë të patjetërsueshme, pas rritjes së numrit të të infektuarve”, thotë Hasani.

Baby Boo