Dogana e Maqedonisë konfiskoi para të fshehura në çorape, pako me çaj për “detoksifikim” dhe një kokë të motorit për automjet


Një sasi e madhe devizash, 250 kuti me çajra për detoksifikimi, por edhe një kokë e re motori për një kamion, janë pjesë e konfiskimeve që ka bërë Drejtoria e Doganave në Maqedoninë e Veriut, shkruan TV21. Sipas njoftimit të Doganave, në dy raste të veçanta, ekipet mobile zbuluan 15.100 euro, të cilat shoferët e kamionëve donin t’i nxirrnin jashtë vendit përmes vendkalimit “Tabanoc”, pa i deklaruar, duke i fshehur në çorape.

Në rastin e parë janë gjetur gjithsej 11.100 euro, nga të cilat 7.000 euro ishin të fshehura në çorapet e shoferit, ndërsa pjesa tjetër e parave ndodhej në portofolin e tij dhe në një zarf në kabinën e automjetit. Në rastin e dytë janë zbuluar 8 mijë euro, të cilat një shofer kamioni i ka fshehur në kabinën e kamionit nën mbulesën e kambios automatike. Në të dyja rastet, drejtuesve të automjeteve, përndryshe shtetas të Maqedonisë, iu janë kthyer nga dy mijë euro, shumë të cilën lirisht mund ta nxjerrin jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër e parave është e mbajtur”, thonë nga Doganat.

Ndërkaq në pikën kufitare “Bllacë”, në hyrje të vendit, në dy raste të ndara janë ndaluar dy shtetas kosovarë pasi të njëjtit kanë tentuar që në mënyrë të paligjshme të importojnë në vendin tonë 250 çajra detoksifikues dhe një kokë të re motori për një kamion.

Çajrat e detoksit janë zbuluar gjatë kontrollit të furgonit me targa të Kosovës nën sediljet e veturës, ndërsa në një automjet pasagjerësh me targa të Kosovës, në bagazhin e mbuluar me batanije dhe xhaketë është zbuluar koka e motorit të kamionit”, shtojnë nga Doganat.

Baby Boo