Dodik kërkon që Republika Serbe të ketë trajtim sikurse Kosova


Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës Millorad Dodik ka kërkuar që Republika Serbe të ketë trajtim të njëjtë sikurse Kosova.
Sipas tij Serbia gëzon një të drejtë natyrore për tu marrë me Kosovën si çështje kryesore mirëpo siç tha ai, çështja e parë e Serbisë në aspektin kombëtar duhet të jetë: Republika Serbe.
Republika Serbe së bashku me Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës janë dy entitete që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Ky vend është ndarë kështu me Marrëveshjen e Dejtonit e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje në vitet 1990.
Dodik i bëri komentet pas një takimi në Banja Llukë mes autoriteteve të Republikës Serbe dhe një delegacioni serb të cilin e udhëhiqte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Ne besojmë se Kosova nuk mund të jetë një shtet i njohur ndërkombëtarisht në mënyrën sesi disa vende të botës e pranojnë atë, dhe nëse ne shkojmë nga pozicioni i këtyre vendeve, atëherë sigurisht që edhe Republika Serbe duhet të ketë të njëjtin trajtim”, tha Dodik.

Ai tha se do t’ia parashtrojë me shkrim presidentit serb këtë çështje, duke i thënë se si “është e pamundur të diskutohet ndarja e mundshme e Kosovës ose ndonjë status i veçantë, pa diskutuar të njëjtën gjë edhe për Republikën Serbe”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është garantuese e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit.
“Ne do të donim që gjërat të mbeteshin brenda kornizës së Marrëveshjes së Dejtonit. Mua më duket se presidenti Dodik e kuptoi. Detyrim i yni është të dëgjojmë të gjitha idetë tjera që Dodik prezantoi sot me bashkëpunëtorët e tij. Por, ne duam të kemi këto qëndrime edhe me shkrim” tha Vuçiq.

Çështja e korrigjimit të mundshëm të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë është shpërfaqur nga vetë presidentët, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve, por ka hasur në reagime për dhe kundër.
Ata që e kanë kundërshtuar, përfshirë disa vende evropiane kanë thënë se një marrëveshje e tillë mund të kishte ndikim në rajon më saktësisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Baby Boo