Ditë të mira për Shkëndijën, “Ballistët” i’a arritën qëllimit, po vjen kryesia e re?

Shkëndija edhe pse sot u rikthye në folenë e saj, në Tetovë, nuk arriti të gëzojë armatën e madhe të tifozëve “kuqezi”, të cilët në fund mbetën të zhgënjyer pas barazimit 1:1 me Makedonija GJ.P.

Ky barazim dëshmon qartë se te Shkëndija nuk po shkon diçka mirë, ndërsa pasqyrë më e mirë për gjithë këtë situatë të krijuar, janë marrdhëniet mes tifozëve të kësaj skuadre “Ballistët”, me kryesinë aktuale që udhëhiqet nga Besnik Ibraimi. Si duket çelësi i mossuksesit është pikërisht këtu, ndërsa jo zyrtarisht “infOSport.mk” mëson se kryesia aktuale është shumë pranë largimit dhe se në vend të tyre do të vijnë emra eminent, që ja duan të mirën Shkëndijës, por që edhe kanë punuar dhe kanë jetuar me futbollin.

Sipas informacioneve jo të konfirmuara në krye të Shkëndijës, si president i ri në vend të Besnik Ibraimit pritet të vie Zamir Dika, një profesor i nderuar, ndërsa gjithashtu në pozitat kyçe të skuadrës “kuqezi” pritet të vijnë emra si Harun Isa, Iskender Jonuzi dhe Ibrahim Osmani.

Janë këto emrat që përmenden si ndërtues të Shkëndijës së re, Shkëndijës europiane, Shkëndijës “kuqezi”, e cila tashmë disa vite po vuan për shkak personave jo adekuat në pozita udhëheqëse.

Mbetet të shihet nëse ditëve në vijim do të ketë ndonjë lëvizje, dhe se më në fund Shkëndija do të vihet në binarët e duhur, aty ku e duan të gjithë “Ballistët”, e gjithë Tetova, por edhe e gjithë shqiptaria. (infOSport.mk)

Baby Boo