Dimitrov: Jam i bindur se ky proces zgjedhor do ta konfirmojë edhe një herë demokracinë vendore


Jam plotësisht i bindur që ky proces zgjedhor do të konfirmojë edhe një herë demokracinë e Maqedonisë së Veriut, siç pritet nga një vend-anëtar i NATO-s dhe një vend që shkon me shpejtësi drejt BE-së, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në takimin me shefen e Misionit special zgjedhor të vlerësimit OSBE/ODIHR për monitorim të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen më 15 korrik.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme informojnë se Dimitrovi në takimin me Laima Lucia Andrikiene ka shprehur falënderime për ODIHR-në për sistemimin e shpejtë të misionit vëzhgues, me ç’rast e ka theksuar gatishmërinë e institucioneve për sigurim të kushteve të domosdoshme për vëzhgim të suksesshëm të zgjedhjeve nga ana e misionit.

Dimitrov e ka theksuar rëndësinë e vëzhgimit të OSBE/ODIHR për besueshmërinë, kredibilitetin dhe transparencën e procesit zgjedhor.

Shefja e misionit vëzhgues informoi për aktivitetet e deritanishme, duke theksuar se monitorimi i zgjedhjeve, duke pasur parasysh krizën shëndetësore, do të kryhet me një mision më të vogël që ka mandat të plotë për të monitoruar të gjitha aspektet e procesit zgjedhor.

“Ju siguroj që me këtë format të Misionit, të imponuar nga pandemia, ne do të përfundojmë punën tonë me cilësi dhe efikasitet në funksion të një misioni të suksesshëm për monitorim të besueshëm të procesit zgjedhor”, theksoi Andrikiene, duke shfaqur shpresë se këto zgjedhje do të jenë korrekte dhe demokratike sipas standardeve zgjedhore evropiane.

Baby Boo