Dimitrov: Evropa dhe e ardhmja, sinonimet tona


Një ditë para raundit të negociatave për emrin mes kryediplomatëve dhe ndërmjetësit të OKB-së, në Athinë dy ministrat e jashtëm Dimitrov e Kocijas bashkë me homologët nga rajoni diskutuan rreth të ardhmes së Evropës. Ndonëse e pakonfirmuar, nuk përjashtohet mundësia që Dimitrov e Kocijas ashtu si rëndom të bisedojnë edhe një herë në katër sy, para se t’i shpalosin qëndrimet para Nimicit. Mbetet të shihet nëse këtë herë palët do të kenë sukses t’i tejkalojnë dallimet rreth çështjeve më problematike, respektivisht hapësirës së përdorimit të emrit të ri eventual dhe ndryshimeve kushtetuese. Në konferencën “E ardhmja e Evropës”, Dimitrov tha se “Evropa” është sinonim i së ardhmes për të gjitha vendet kandidate. Ai theksoi se pikërisht përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, ashtu si ajo rreth emrit dëshmojnë se sa evropianë jemi.

Ne duhet ta evropianizojmë vendin tonë, me institucione të fuqishme dhe media të lira dhe të jemi të guximshëm t’i zgjidhim problemet me fqinjët tanë. Po përpiqemi ta bëjmë këtë me Ju (Greqinë). Disa ditë më parë kur e analizuam deklaratën e Shumanit, kujtuam se BE-ja ka filluar si pajtim. Mendoj se do të kishte kuptim ta shfrytëzonim perspektivën evropiane për Ballkanin në këtë drejtim, t’i zgjidhim çështjet, t’iu tregojmë të gjithë vendeve-anëtare se popujt e Ballkanit janë po aq evropianë – tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Një Evropë të bashkuar e kërkoi edhe ministri i jashtëm grek Kocijas.

Ne duam një BE më të bashkuar, që është më demokratike dhe me më shumë drejtësi sociale. Një BE që është më e fortë në botë dhe që kujdeset për qytetarët e saj. Kjo BE duhet të bazohet në parimet e ndihmës, që garantojnë pjesëmarrjen demokratike të shteteve, rajoneve dhe veçanërisht qytetarëve si dhe të tejkalojë kontrastin brenda saj, mes Jugut dhe Veriut, Lindjes dhe Perëndimit, zonave të pasura dhe të varfra – deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Raundi i ri i bisedimeve në Athinë, i paraprinë takimit të dy kryeministrave Zaev e Cipras më 17 maj në kuadër të Samitit të vendeve anëtare dhe kandidate për në BE që do të mbahet në Sofje. Zaev paralajmëroi se në këtë takim mund të merren vendime të rëndësishme për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Baby Boo