Dikur djaloshi i topave, sot djaloshi i mrekullive


Phil Foden ishte vetëm një djalosh i topave para gjashtë vjetëve kur Manchester City kishte fituar titullin e parë në Premierligë pas dhjetëra vjetësh. Por tani ai është pjesë e ekipit të Pep Guardiolas dhe shihet si një djalosh me të ardhme të ndritur, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Phil Foden ishte ulur shumë afër fushës kur Vincent Kompany shënoi një gol shumë të rëndësishëm përballë David de Geas në sfidën ndaj rivalit lokal Manchester United. Ishte një e hënë e muajit prill para gjashtë vjetësh kur Manchester City kishte triumfuar në derbin lokal drejt rrugëtimit të tyre për të fituar titullin e parë në Premierligë që prej vitit 1968. Foden, një djalë i topave në atë edicion, kishte kërcyer prej gëzimit.

“Më kujtohet se isha ulur në anën tjetër kur Vinny shënoi prapa portës tjetër. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe Viny realizoi me kokë”, thotë Foden.

“Ishte një atmosferë shumë e çmendur. Kanë qenë disa raste të tilla, kur jam rrëzuar në rrethoja kur kam provuar të kërcej mbi ta”, shprehet ai.

Foden, vetëm 18-vjeçar, është i turpshëm. Ai është i matur në atë që thotë dhe dëshiron të lërë përshtypje të mira. I lindur në Stockport, ai ka autoritet në karakterin e tij dhe ende luan futboll në rrugë me shokët e tij. “Sa herë që kam kohë të lirë dal jashtë dhe luaj me njerëzit e lagjes sime të vjetër”, thotë Foden.

Sjellja e tij në Akademinë e Futbollit të Cityt përshkruhet si shembullore dhe Pep Guardiola është siguruar që ai të jetë me skuadrën e parë për më shumë se 12 muaj. City ka shpresa të mëdha për mesfushorin, një tifoz i cili udhëtonte me tramvaj për ta shikuar ekipin. “Më kujtohet kur humbnim shpesh dhe ishim afër fundit, por e gjithë kjo tashmë ka ndryshuar”, shprehet ai.

Foden është shumë i ri për të kujtuar momentet kur Manchester City ishte në divizionet më të ulëta dhe tani ai është indoktrinuar në Cityn e ri, ku fitoret me stil janë gjithçka.

Ai është duke punuar me njërin prej trajnerëve më të mirë të këtij sporti dhe Guardiola nuk është duke e dërguar në huazim, duke nënkuptuar se Foden mund të përmirësohet shumë në stërvitje. Bisedimet për kontratën e re nuk kanë filluar ende, por kjo është vetëm një formalitet sepse Foden e ka bërë të ditur se ai nuk e sheh veten duke luajtur diku tjetër. Disa figura kyçe janë duke e ndihmuar atë drejt bërjes së karrierës. David Silva është duke qenë mentori i tij. Ndihmësi i Guardiolas, Mikel Arteta, është duke punuar me Fodenin edhe pas stërvitjes.

“Unë dua të ndjek lojtarët seniorë, të mësoj nga ta dhe të fitoj sa më shuam minuta që të mundem. Ka të bëjë me mësimin në këto momente sepse jam shumë i ri. Bëj punë individuale me të (Artetan). Ai ende është kualitativ, ai i bashkohet stërvitjeve dhe ende është njëri prej më të mirëve. David ishte idhulli im. Është e jashtëzakonshme që të marrësh këshilla nga lojtarë si ai. Nëse bëj diçka të gabuar ata më përmirësojnë, duke më ndihmuar. Pak fjalë këtu, pak aty”, thotë Foden, i cili shpreson të jetë në Kupën e Botës pas katër vjetësh. “Isha në Kupë të Botës në Rusi për një javë. Do të mundohem shumë për (Katar) dhe shpresoj të jem atje”, deklaroi 18-vjeçari.

Baby Boo