Zgjerohet epidemia e fruthit në Dibër me katër raste të reja. Gjatë ditëve të vikendit dhe mëngjesin e sotëm katër persona me simptome të fruthit kanë kërkuar ndihmë në Spitalin e Dibrës ndërkaq analizat e tyre janë dërguar për shqyrtim në Spitalin e Ohrit. Të katër personat janë të moshave të ndryshme ndërkaq kanë lidhje familjare mes njëri tjetrit. Nga Qendra për Shëndet Publik thonë se për momentin pacientët janë të shtrirë dhe të izoluar, ndërkaq gjendja e 20 pacientëve tjerë të prekur me fruth gjatë ditëve të kaluara është përmirësuar dhe të njëjtët janë lëshuar për në shtëpi.
Është bërë dezinfektimi i gjithë Spitalit, në shtëpinë e shëndetit dhe në çerdhen e fëmijëve. Ne jemi duke e ndjekur situatën epidemiologjike të fruthit dhe jemi gjithmonë në kontakt me Institutin e Shëndetit Publik në Shkup. Dhe masat për më tutje do t’i marrim së bashku – deklaroi Mentor Mela, Mjek në Qendrën për Shëndet Publik.
Nga data 20 e këtij muaji u regjistruan rastet e para me fruth në qytetin e Dibrës. Pacienti më i ri i prekur nga fruthi është një fëmijë i moshës nën një vjeç, ndërkaq shumica e të prekurve janë të moshës mbi 30 vjeçare dhe të cilët kanë pranuar njërën dozë të vaksinës kundër fruthit. Tre nga të prekurit janë pjesë e personelit mjekësor të Dibrës. Instituti i Shëndetit Publik alarmon për vaksinimin e popullatës kundër kësaj sëmundje ngjitëse e cila konsiderohet si ndër sëmundjet infektive më të rënda.