Dhjetëra persona të vdekur pas një sulmi vetëvrasës në Afganistan


Një sulmues vetëvrasës ka lënë të vdekur 20 persona në veri të Afganistanit, duke përfshirë një komandat të talibanëve, ka njoftuar një zyrtar afgan më 17 korrik.

Abdul Qauom Baqizoi, shefi policor i provincës, Sar-i-Pul, ka thënë se sulmi ka ndodhur teksa disa banorë të fshatit janë takuar me zyrtarë talibanë.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, mirëpo Baqizoi ka thënë se grupit militant, Shteti Islamik (IS) ka qenë mbrapa aktit.

Talibanët dhe IS-i kanë kryer një varg sulmesh në ditët e fundit në veri të Afganistanit.

Më shumë se 100 militantë nga të dyja palët janë vrarë në betejat e fundit, ka thënë Baqizoi.

Shefi i këshillit provincial, Mohammed Noor Rahman, ka thënë se shpërthimi ka ndodhur në një xhami, gjatë procesit të një funerali.