Detaje nga dy rastet e infektuara me koronavirus në Gjilan: Identifikohen personat me të cilët kishin kontakt


Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka qëndruar sot në fshatat Zhegër dhe Vrapçiq, pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus. Ai ka thënë se janë kontaktuar të gjithë ata që kanë pasur kontakt me dy të infektuarit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Ismajli ka bërë të ditur se gjendja është nën kontroll.

“Në emër të kryetarit Lutfi Haziri, Komiteti për mbrojtje dhe shpëtim për parandalimin e Covid-19, sapo u kthyem nga terreni, përkatësisht nga fshatrat, Zhegër dhe Vrapçiq, që për fat të keq janë prekur prej këtij virusi dy raste. Mund të konfirmoj se janë kontaktuar të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër kanë pasur kontakt me dy personat e infektuar. Falë angazhimit të policisë dhe mjekëve, e kemi listën e këtyre personave. Gjendja është nën kontroll dhe i lus qytetarët që t’i përmbahen rregullave të institucioneve”, ka thënë Ismajli.
Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, Dr. Ajhane Sefiu, ka njoftuar se së bashku me ekipet mobile kanë vizituar dy familjet, në Zhegër dhe Vrapçiq, ku i janë udhëzuar që t’i përmbahen rregullave për parandalimin e Covid-19.

Kujtojmë se deri tani në Kosovë gjithsej janë prekur 31 persona nga ky virus, ku fatkeqësisht, një prej tyre sot ndërroi jetë.

Bëhet fjalë për 82 vjeçarin që vjen nga Dumnica e Podujevës, i cili pritet të varroset në një ceremoni ku do të marrë pjesë vetëm familja e ngushtë.

Baby Boo