Destani në Bozovcë dhe Veshallë për të nderuar brezin e patriotëve të 68-tës(FOTO)


Biznesmeni dhe pronari i ‘Ecolog’, Lazim Destani, ka marrë pjesë në shënimin e 550 vjetorit të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe 50 vjetorit të Demonstratave të vitit 1968 në Tetovë, informon Medial.mk.

Kremtimi i këtij jubileu u organizua nga OJQ”Nisma” me kryetar Xhemil Daci, në Bozovcë dhe Veshallë, ku ishin të pranishëm shumë figura të shquara kombëtare për të nderuar brezin e patriotëve të 68-tës të cilët patën guximin të ngrihen dhe të kundërshtojnë diktaturën komuniste kundër diskriminimit të hapur që po i bëhej popullit shqiptar në kohën e Jugosllavisë. Gjithashtu në këtë manifestim prezent ishin edhe dy organizatorët e demonstratave të 81-njëshit Hidajet Hyseni dhe Shpëtim Pollozhani.

I gjith manifestimi filloi në Bozovcë me zbulimin e pllakës përkujtimore për të nderuar rektorin e parë të Universitetit të Tetovës, profesorin Fadil Sulejmani,i cili u lind dhe u rit në këtë fshat të malësisë së Sharrit, më pas vazhdoi në Veshallë me vënien e pllakës-simbol të rrugës historike, Tetovë-Prizren, me mbishkrimin “Sharri nuk ndan, Sharri bashkon Dukagjin e Pollog”.

Ndërkaq ceremonia u mbyll me manifestime kulturore sportive ku organizatorët shtruan sofrën tradicionale për të gjithë të pranishmit për nder të 550 vjetorit dhe 50 vjetorit të Demonstratave të vitit 1968 në Tetovë.