Dëshmia e “E1” për “Monstrën”: Personat ishin me “Golf 3” dhe nuk ishin peshkatarë


Ashtu edhe siç u paralajmërua, në seancën gjyqësore për rastin “Monstra” me monitor, me fytyrë të mbuluar dhe zë të ndryshuar, ka dëshmuar “E1” për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, transmeton Portalb.mk. E1 ka thënë se katër ditë para vrasjes ka parë disa persona me veturë “Golf 3” dhe se ata nuk kanë qenë peshkatarë.

Dëshmitari “E1” ka deklaruar se në Liqenin e Smilkovës ka parë disa persona me veturë “Golf 3” me dritare të errëta, tre – katër ditë para ngjarjes së 12 prillit të 2015-s – ditën e vrasjes.

“Personat kanë qëndruar për një kohë të shkurtë prej 1-2 minuta, në periudhën kohore 16:00 – 18:00 ora dhe nuk kanë qenë të veshur si peshkatarë, sepse atje shkojnë edhe persona të thjeshtë”, deklaroi “E1”.

Me kërkesë të prokurores Fatime Fetai, “E1” identifikoi personat: Agim Ismailoviç, Sami Luta dhe Fejzi Aziri.

Dëshmitari “E1” për Sami Lutën: Ishte me flokë të gjata dhe me një njollë në fytyrë në pjesën e majtë. Ka pasur veshur xhaketë dhe pantallona prej xhinsi.

Dëshmitari “E1” për Fejzi Azirin: Ishte me flokë të bardha dhe me moshë rreth të 50-tave. Ka pasur veshur xhaketë prej lëkure.

Dëshmitari “E1” për Agim Ismailoviçin: Ishte tullac dhe me mjekër.

Meqë në dëshminë paraprake kur duhej të identifikoheshin personat, dëshmitari “E1” i pati ngatërruar Agim Ismailoviçin me Almir Derplan, i pyetur nga prokurorja Fatim Fetahi për ngatërresën e atëhershme, “E1” sot deklaroi se ngatërresa ka ndodhur për shkak se Ismailoviç dhe Derplan ngjajnë shumë me njëri – tjetrin, transmeton Portalb.mk.

Përndryshe, sot në Gjykatën Penale të Shkupit mbahet seancë gjyqësore për rastin “Monstra”, në të cilën është duke dëshmuar dëshmitari i mbrojtur apo i koduar i njohur me emrin “E1”.

Ndryshe, seanca e fundit, e mbajtur më 5 korrik, është shtyrë për arsye se gjykatësi Osman Shabani ishte i sëmurë. Për dallim nga gjykimi i parë kur akuzën e përfaqësonin Prokuroria Themelore Publike, tani në pajtim me gjykatësin e lëndës, Ognen Stavrev, palën mbrojtëse dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale është marrë vendim që në seancë të marrë pjesë edhe opinioni, gjegjësisht gazetarët dhe familjarët e të akuzuarve dhe fëmijëve të vrarë në Liqenin e Smillkovës. Dëshmitari i mbrojtur, nuk do të mund të shihet apo nuk do të mund t’i zbulohet identiteti, pasi ai do të dëshmojë në kushte dhe kritere të veçanta. Ai do të shfaqet në një monitor, me fytyrë të mbuluar dhe do të flet me zë të ndryshuar, me ndihmën e mjeteve teknike.

Dëshmitari i mbrojtur “E1” është propozua nga Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2012.

Në dëshminë e gjykimit të parë, E1 ka deklaruar se disa ditë përpara vrasjes, ai i ka parë të pandehurit Sami Luta, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailoviq në Liqenin e Smillkovës disa herë në orën 6 të mëngjesit dhe 18 të pasdites, duke pretenduar se po vëzhgonin vendin.

Megjithatë mbrojtja argumentoi se E1 nuk ishte i besueshëm sepse ai identifikoi burrat e gabuar në fotografitë që ia kanë dhënë për t’i parë dhe ka dhënë dëshmi kontradiktore rreth pamjes së të pandehurve, duke pretenduar se ata kishin mjekra të gjata, që sipas berberit të tyre nuk ishte e vërtetë.

Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Pos dëshmitarit “E1”, në cilësinë e dëshmitarit të fshehur ka qenë edhe Haki Aziri, i cili pas heqjes dorë nga ky status, Prokuroria Themelore Publike asokohe e ka akuzuar edhe atë për pjesëmarrje në vrasje, gjegjësisht për logjistikë.

Paraprakisht, kanë dëshmuar 4 peshkatarë, 3 prej të cilëve janë romë dhe të cilët në natën e kobshme kanë qenë duke peshkuar në Liqenin e Smillkovës.

Baby Boo