Demë, engjujt nuk jetojnë në Tokë


Elza Dautaj
(Për Demën, dritën e syve të motrës) E enjte. 23 Shtator 2021.

Agoni e plotë.
Shihja shumë fytyra njerëzish. S’e dija ç’donin; s’e dija për çfarë kishin ardhur.
U mbështeta tek një cep i murit, sepse i druhesha edhe asaj pak fuqie që më kishte mbetur.
Realiteti më vinte si me episode. Nuk doja të isha, aspak, në këtë realitet. Doja të shihja ëndrra me sy hapur; të t’shihja ty duke luajtur me lodrat tua e duke i shikuar filmat e t’u të preferuar.
Secilën herë që më kthehej ky realitet, më godiste edhe më fort.

***
Qysh prej ndarjes nga Mama, kam lexuar e ndjekur shumë leksione për ta tejkaluar dhimbjen; për t’u mësuar me zbrazëtirën që personat e zemrës lënë prapa. Si një vrimë e zezë që sa herë aktivizohet përpin gjithçka çfarë sheh para. Gëzimin, lumturinë, përqafimet e ngrohta, emocionet.
Mirëpo, leksionet nuk më mësuan kurrë se çfarë duhet të bëj kur kjo dreq vrime e zezë rritet. Kur ndodh një kataklizëm shpirtëror dhe gjithçka që është ndërtuar rrënohet nga një moment.

Por, më duhet ta pranoj: kjo vrimë e zezë nuk do të shkatërrohet; do të jetë shumë e madhe dhe më e rëndë. Kjo vrimë do të jetë këtu për të qëndruar.
Vëllai im. Kjo nuk është letër e lamtumirës. Ty kurrë s’do të mund të të them lamtumirë. Thjesht, do të jetosh me mua; do të jesh me mua në çdo ditë të jetës sime.

Mars 2018. E gjetëm veten në korridoret e një spitali në Gjermani. Dema kishte të veshur një bluzë të verdhë e nuk e dinte fare çfarë po ndodhte. Ishte shumë i vogël për të kuptuar për çfarë ishim ne aty. Në fakt, edhe unë e kisha të vështirë ta kuptoja se për çfarë kishim përfunduar në atë spital. Ose, të paktën, nuk doja ta kuptoja. Shpresoja se në një moment do të zgjohem nga gjumi, në divan, e do të të shoh ty në cepin tjetër të dhomës tek luaje me lodrat tua. Shpresoja që e gjitha kjo ishte vetëm një ëndërr e keqe.

Pas analizave dhe rrezatimeve, Dema u diagnostifikua me kancer në mëlçi. Mjekët menjëherë urdhëruan shtrimin në spital dhe fillimin e kimioterapisë. Gjithçka ndryshoi. Jeta jonë e merr një drejtim me shumë të panjohura; një rrugë plot dhimbje e frikë.

Ajo çfarë dinim mirë nga diagnoza e kancerit, pa marrë parasysh fazën apo shkallën, ishte se njerëzit vdesin nga kjo sëmundje. Ishim të sprovuar nga kjo. Fundi i një jete është diçka që ne e përjetojmë me frekuencë të shtuar teksa rritemi, gjë që është krejt e natyrshme. Mirëpo, kjo frekuencë sa vjen e shtohet kur e kemi një diagnozë të tillë. Sigurisht, shumë prej njerëzve që diagnostifikohen me këtë sëmundje jetojnë jetë më të gjatë dhe i përmbushin qëllimet e tyre. Mirëpo, ky nuk ishte rasti me ne.

Nëna jonë e kishte humbur luftën me kancerin, pak muaj pasi e kishte sjellë Demën në jetë. Kjo ishte vrima e parë e hapur brenda nesh. Një dhimbje kronike. Një dhimbje që i frikësohemi qyshkur nisim të kuptojmë për here të parë si fëmijë. Një frikë me të cilën jetojmë. Të gjithë e mendojmë atë ditë, por askush nuk e dëshiron. Të gjithë i frikësohemi. Prandaj, jo më kot, epiteti Nënë është ndoshta i vetmi gjë që përshkruhet me dualizëm. Me lumturi dhe dhimbje. Nuk ka mes. Lumturi derisa ke mundësi ta thërrasësh. Dhe, dhimbje kur nuk ke më mundësi ta bësh një gjë të tillë.

Për këtë arsye, vendosëm që Demën ta zhvendosim në Gjermani, për të jetuar atje me të hallën. Me të atje ne do të ndiheshim më të sigurt për të; do të bënte kontrolle dhe do të kishte mundësi më të mira përkujdesjeje.
A mund ta kuptoni sot këtë sakrificë?!
Të jetosh larg nga ai, vetëm që ta mbrosh!
Të heqësh dorë nga kënaqësitë ditore që t’i jep gjatë rritjes. Nga dashuria që ta jep fëmija tek rritet.

***
Halla jonë jeton në Gjermani. I dha Demës gjithçka – kohën dhe dashurinë pa kushte. Kur Dema u rrit deri në një moshë që t’i kuptonte disa gjëra, pyeste se pse Nëna që ishte në Qiell nuk vinte ta takonte?
Babi gjithmonë u sigurua që ne të mund të kalojmë sa më shumë kohë së bashku. Dema nuk na ka larguar asnjëherë nga mendja dhe asnjëherë ne nuk e larguam nga mendja. Ishte shumë e vështirë të jetonim të ndarë, larg njëri-tjetrit, por gjithmonë shpresonim për një të ardhme më të mirë.

Dema ishte fëmijë shumë i dashur. I kujdesshëm me të gjithë. Kishte aftësinë për të të shtangur me pyetjet që i shtronte! Bënte pyetje që nganjëherë duhej të ndaleshe e të mendoje për përgjigjen. I interesonte jeta dhe se si funksionojë gjërat. Nisi ta kuptojë edhe sëmundjen, edhe pse ishte ende shumë i vogël! I dinte vet ilaçet, madje e dinte edhe vlerën e temperaturës. Shqetësohej kur kishte ndonjë temperature të brendshme dhe e kërkonte menjëherë termometrin. “Tre shtatë, mirë është. Unë e di, kur është tre shtatë është mirë; kur është tre tetë është keq”.

***
Ditë e re, ilaçe të reja, kontrolle pa fund dhe shumë ndërhyrje kirurgjike. Shenjat në trupin e tij sa vinin e shtoheshin nga ndërhyrjet.
Dema nuk u dorëzua. U zgjua dhe u ngrit prapë duke i befasuar edhe vet mjekët. “Vullneti i tij për jetë është një mrekulli më vete”, na thoshin ata.
E vazhdonte jetën e tij sikur s’kishte asgjë. Nuk donte t’ia dinte për sëmundjen. E mundonin herë-herë dhimbjet, por vazhdonte të luante dhe të na jepte energji të gjithëve.

Por, muajt e fundit nisi lodhja e tij! Nisi të fle më shumë, të rrinte shtrirë e të mos i kryente aktivitetet e tij të përditshme! “Më kanë lodhur këto ilaçet”, thoshte Dema. Donte të flinte më shumë. Kishte frikë. Gjithmonë kërkonte të flinte dikush me të e të thoshte: “Më zgjoni pas një ore, se s’po mundem vet me u çue”!
E kërkonte muzikën e tij të preferuar dhe i mbyllte sytë, sikur meditonte. E mbaja dorën e tij të vogël dhe lutesha! Nuk kisha asnjë armë tjetër. S’më kishte mbetur asgjë tjetër, vetëm lutja për të.

Çdo ditë sikur i shtohej doza e lodhjes. Dhe, çdo ditë e më shumë gjumi. E shihnim tek zbehej drita e tij. Sikur momentet e para të perëndimit të diellit në një ditë të kthjellët vjeshte! Dritë e fortë vezulluese që të bën t’i picërrosh sytë dhe pas disa minutave një muzg i errët që të bën ta ndjesh të ftohtin e tharbët. Po e shihnim dalëngadalë tek shuhej!

***
Gjatë gjithë kohës na mbante afër, flisnim shpesh, edhe pse lodhja e mundonte. Na mbante dorën shtrënguar; kërkonte të shikonim film së bashku, edhe pse e dinte se pas pak minutave do të flinte. Thjeshtë, donte ta kishte ndjesinë se gjithçka ishte normale. Kjo e bënte të ndihej mirë.

Rastësisht, gjatë shikimit të filmave të tij anime, e vërejta se kishte frikë nga vdekja. Shikimi i tij, sytë e tij e tregonin frikën.
Pse duhet një nëntëvjeçar t’i frikësohej vdekjes?
Ja pra, edhe një pse më shumë!

***
Në këtë letër nuk do të shkruaj për vdekjen e tij! Nuk jam gati dhe, ç’është e vërteta, kurrë nuk do të jem.
Sinqerisht, ende mendoj se jam në një shok. Kaloj nga momentet kur nuk mund të marr frymë në marrjen e telefonit për ta kontrolluar bisedën me të e për ta ulur telefonin kur vjen realiteti i ashpër. I lexoj mesazhet tona me figura; i dëgjoj bisedat e regjistruara që i kam bërë me ty duke e dëgjuar zërin tënd dhe tentoj ta shoh buzëqeshjen tënde përmes fjalëve. I shikoj fotot dhe përpiqem të rijetoj momentin. Çdo gjë për të të ndier ty pranë meje.

***
Jam duke i kaluar të gjitha fazat e pikëllimit, që prej vdekjes tënde. Pikëllim, zemërim i zjarrtë. Të qarat histerike. Vetmi e plotë. Net të gjata, vetëm me mendimet dhe kujtimet e mia. Herë pas here kam momente kur nuk mund të marr frymë, duke e ditur që nuk je më.

Më dhemb kur duhet ta kuptoj se më duhet të eci para dhe se duhet të mësoj sesi mund të jetoj pa ty. Më dhemb që nuk do të jesh me mua, në çdo ditë timen. Nuk do të jesh në ditën time të parë të punës; nuk do të jesh në ditën time të martesës; se nuk do t’i njohësh kurrë fëmijët e mi; se ata nuk do të rriten përreth teje. Më dhemb se më nuk je një telefonatë larg. Se nuk do të plakemi bashkë. Më mungon më shumë sesa fjalët këtë mund ta shpjegojnë. Duhet të jetë një fjali tjetër që mund ta përdor, sepse është shumë më shumë se një: “Thjesht, më mungon”!

***
Do të kujdesem që mbi gjithë dhimbjen e madhe, fëmijët e mi të të njohin. Do ta njohin zemrën tënde; buzëqeshjen tënde dhe gjithçka për ty. Në këtë dimension apo tjetër, do të flas për dashurinë tënde si e vetmja gjë që arrin të tejkalojë barrierat fizike dhe kohore.
Mund ta imagjinoj argëtimin që po e kalon atje lart në Qiell dhe sa e pabesueshme kjo duhet të jetë për ty. Mund ta imagjinoj se je bërë bashkë me Mamën dhe se më në fund ke arritur ta takosh. E besoj këtë. Meqë ishte e pamundur të të vizitonte ajo ty, fizikisht, ike ti ta vizitosh atë.

Ndërkohë, unë do të vazhdoj të jetoj me kujtimet tona. Po e shoh tabletin tënd; lojërat tua aty; fotografitë e këngët tua … Më bëjnë të ndihem sikur një pjesë e jotja është ende këtu. Por, më kanë mbetur shumë gjëra tua për t’i eksploruar. Është një proces i ngadaltë për t’i shikuar e dëgjuar të gjithat; për të jetuar me to; për t’i përjetuar së bashku me Onidën dhe Babin; për t’i shikuar filmat tanë të preferuar, shumë herë duke qarë dhe gjithmonë duke e imagjinuar zemrën tënde.

***
Tash, Demë, po ulem pranë lumit të lotëve të mi, e po pres. Po e pres flladin e lehtë të verës të ma ledhatoj fytyrën e ta ndiej se janë duart tua të vogla. Po e pres edhe një natë të kthjellët dimri, që të të shoh ty mes yjesh.
Nuk kam më asgjë tjetër. Po ulem e po e pres ditën kur do të të takoj prapë.
Të dua shumë dhe më ka marrë shumë malli.
Demë, drita e syve ….

Baby Boo