Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli mori pjesë në shënimin e Natës së Kristaltë


Një delegacion i Fakultetit Juridik i Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga dekani Prof. Dr. Jusuf Zejneli, më 8. 11. 2022, mori pjesë në shënimin e Natës së Kristaltë ose siç njihet ndryshe si paradhoma e Shoah (Holokaustit), që u organizua nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Për ta përkujtuar këtë ngjarje, Departamenti për hulumtimin dhe edukimin e Holokaustit pranë Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në Shkup organizoi një komemoracion me titull simbolik: “Muzgu i Qytetërimit – Hyrje në vendosjen e shtetit të terrorit dhe frikës”, në përkujtim të të gjithë atyre hebrenjve që ishin viktimë e urrejtjes naziste që shpërtheu në Natën e Kristaltë dhe pas saj.
Drejtori i ITSHKSH-së, Prof. Dr. Skender Asani, në fjalën e tij u shpreh se njerëzimi gjithmonë ka nevojë për shembuj që nxisin ndjenjën e pastrimit të vetvetes nga e keqja. Sipas tij, edhe shoqëria gjermane kaloi nëpër këtë katarsë të madhe shpirtërore e morale, duke vendosur linja distancimi nga e kaluara e errët në favor të ardhmërisë, e cila përvojat e këqija i shndërron në modele bashkëpunimi e mirëkuptimi.

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, duke iu referuar kësaj ngjarje tha se, vështruar në aspektin juridik, historik, politik, çështja e respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, vazhdimisht ka qenë dhe mbetet temë kryesore, edhe përkundër faktit se ata garantohen me kushtetutë, ligje, konventa ndërkombëtare, mirëpo, fatkeqësisht ekzistojnë momente të cenimit të tyre. I tillë ishte edhe rasti kur u shkatërruan shumë shtëpi të hebrenjve, duke ushtruar dhunë, terror, duke djegur libra, pikërisht në vitin 1938, në Natën e Kristaltë. Rikujtojmë se Holokausti ishte formë e rëndë e gjenocidit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Ai më tej tha se, duhet pasur kujdes se rastet e tilla nuk i shërbejnë progresit, zhvillimit dhe as botës së civilizuar.

Në këtë ngjarje të pranishmëve me fjalë rasti ju drejtuan edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, ekselenca e saj Anke Holstein, ambasadorja e Izraelit, ekselenca e saj Simone Frankel, kryetari i Komunitetit Hebraik në Maqedoni, Pepo Levi, si dhe profesoresha nga Fakulteti Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup, Prof. Dr. Ivanksa Vasilevska.
https://www.facebook.com/338685373241583/posts/pfbid0zGfugG5hN5iRnwk2ba7zLWsiMZPuVZL8tfN1ByRe4V8TR1bQo57JJe6fPdkVhf61l/

Baby Boo