Dedja: Vettingu, shumë i ashpër! Si të kalosh varrin për së gjalli

Një javë pasi kaloi ethet e vettingut, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja vendosi të hapë dyert e t’u përgjigjet pyetjeve të medies mbi procesin.

Baby Boo

Por, duke shmangur përvojën personale, sepse sipas tij për këtë gjë ka folur avokati, Bashkim Dedja mendon se mbi standardin e gjykimit të çdonjërit që provoi “dhëmbët e vettingut” do të flasë shkalla e dytë, që është Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Megjithatë, pyetjes së Top Channel mbi efektet e vettingut, Bashkim Dedja iu përgjigj:

“Ky ligj që është bërë, duke përfshirë Kushtetutën dhe ligjin për vettingun, është ndër më të ashprit e Europës, por ndoshta edhe më gjerë, për sa i përket kësaj fushe. Filtri që është vendosur e procedura që ndiqet e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë për t’u kaluar. Unë do të përdorja një shprehje: Të kalosh vettingun në Shqipëri me këtë ligj është si të kapërcesh varrin për së gjalli. Kjo është një gjë shumë e mirë, sepse njëherë e mirë ndahet elementi që ia ul vlerat kësaj reforme”, tha Bashkim Dedja.

Që prej muajit mars, kur u hapën seancat dëgjimore, i janë nënshtruar procesit 15 njerëz të drejtësisë. Për këtë, Bashkim Dedja shton:

“Besoj që ritmet janë normale. Shpresoj që ritmet të jenë më të shpejta dhe natyrisht që lista prioritare që ka të bëjë me KLGJ-në dhe KLP-në, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Emërimeve në drejtësi, që janë institucionet bazë të Reformës së Drejtësisë, pra kjo listë prej gati 57 personash të mbarojë sa më shpejt”, tha më tej Dedja.

Deri më tani kanë kaluar vettingun 9 persona, ndërsa 6 të tjerë kanë ngelur.

“Për mua s’kanë rëndësi numrat. Nëse janë për të ikur, të ikin të tërë. Nëse janë për të qëndruar, të qëndrojnë të tërë. E rëndësishme është të respektohet ligji dhe Kushtetuta”, thotë ai.

TCH: Me gjithë seancat që kanë kaluar deri më tani, vazhdoni të jeni besimtar i vettingut?

“Patjetër, unë nuk do t’i isha nënshtruar vettingut nëqoftëse nuk do të isha dakord me vettingun, e nëqoftëse nuk do të kisha besim tek organet e vettingut”, shprehet Dedja.

Në këtë situatë, kur në Gjykatën Kushtetuese kanë ngelur vetëm 3 anëtarë, Bashkim Dedja bën apel për respektim të standardeve.

“E rëndësishme është që gjithkujt t’i bëhet një proces i rregullt dhe i drejtë, e të marrë gjithsecili atë që i takon”, tha Dedja.

Tani në Gjykatën Kushtetuese, i fundit që ka mbetur dhe po pret ftesën e vettingut është Gani Dizdari.

Top Channel

Restorant Lumare