Dasmat të mbahen në ambiente të mbyllura


Pronar restorantesh, hotelierë, gastronom të Pollogut të organizuar në Shoqatën Hotelierike “Horeka” kanë mbajtur një konferencë me gazetarë në Tetovë, ku edhe njëherë u kanë bërë thirrje institucioneve si Komisionit për Sëmundje Infektive, Ministrisë së Shëndetësisë, dhe Ministrisë së Ekonomisë që të miratojnë një protokoll për punë të objekteve hotelerike që merren me veprimtarinë e organizimit të dasmave dhe ahengjeve të tjera familjare, për të punuar në ambient të mbyllur për shkak se mbi 90 për qind e objekteve hotelerike që organizojnë dasma në rajonin e Pollogut, janë të mbyllura.

Nga kjo shoqatë theksuan se nëse sërish kërkesat hasin në vesh të shurdhër nga ana e institucioneve të lartpërmendura, atëherë rreth 70 restorante në rajonin e Pollogut që merren me industrinë e dasmave do të detyrohen që të zvogëlojnë stafin e të punësuarve për shkak se gjatë gjithë kohës së pandemisë kanë punuar me humbje, dhe nuk kanë arritur të kompensojnë humbjet që kanë pësuar si pasojë e mbylljes. “Disa herë kemi bërë kërkesa dhe kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër. Ne si pronarë të objekteve hotelerike nuk mund të rrezikojmë që të largojmë nga puna mijëra të punësuar dhe të njëjtit të mbeten në rrugë. Dasmat nuk mund të ndalen dhe ne do të detyrohemi ose të organizojmë dasma si viteve të kaluara, ose përfundimisht të largojmë punëtorët dhe të mbyllin lokalet tona. Është e pakuptimtë se si shteti ynë nuk mund të krijojë një protokoll për organizimin e këtyre evenimenteve sikurse shtetet e rajonit”, theksoi Fitim Tahiri nga Shoqata “Horeka”.

Edhe Naser Havzija apelon deri tek institucionet që urgjentisht të lejojnë objektet hotelerike të punojnë edhe në hapësirë të brendshme, në të kundërtën mijëra punëtorë që janë të lidhur drejtpërdrejt me këtë veprimtari dhe varen nga kjo, rrezikojnë që të ngelin pa punë. “Shumica e lokaleve hotelerike që funksionojnë në Tetovë, nuk kanë kushte adekuate për të punuar ashtu siç janë paraparë në protokollet e Komisionit për sëmundje infektive. Nëse vazhdohet me këto masa dhe dasmat nuk lejohen në ambiente të mbyllura, rrezikohen të mbesin pa punë me mijëra punëtorë, prandaj bëjmë thirrje që institucionet përgjegjëse të lejojnë mbajtjen e dasmave në ambiente të mbyllura”, thotë Havzija.
Në rajonin e Pollogut janë rreth 70 objekte hotelierike, të cilat për vite me radhë organizojnë dasma dhe ahengje të tjera familjare, pjesa dërmuese e të cilave këto evenimente i organizojnë me ambiente të mbyllura.

Baby Boo