Dasmat “përplasin” Filipçen dhe Hasanin! Me mendime të ndara për ahengjet në ambient të mbyllur


Çështja e dasmave në salla të mbyllura ka përplasur dy figurat drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë. Ministri Venko Filipçe dhe zv/ministri Ilir Hasani nuk ndajnë të një mendimi sa i përket mbajtjes së ahengjeve familjare në ambiente të mbyllura. Filipçe transmeton rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe brenda tre ditësh del me deklarata të ndryshme. Të premten tha se kjo verë do të kalojë pa organizime në të mbyllur, ndërsa sot deklaroi se anëtarët e Komisionit për sëmundje infektive kanë rekomandime të ndryshme.

“Sot dhe nesër do të kemi përsëri mbledhje dhe do t’i shqyrtojmë ato kërkesa. Një pjesë e epidemiologëve vlerësojnë se mund të bëhen duke u kujdesur për protokollet, siç janë kufizimi i numrit të të ftuarve, të ketë objekti pjesë të hapura të mjaftueshme, e të tjerët mendojnë se nuk duhet dhe se duhet verë tekstualisht vetëm me ngjarje në të hapur”, deklaroi Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë.
Zëvendësministri Ilir Hasani e ka ngritur zërin duke kërkuar zbutjen e mëtejme të masave dhe protokolleve. Thotë se nuk sheh pengesa për të pasur dasma, përderisa qytetarët mblidhen nëpër shtëpitë e tyre dhe përderisa ka organizime të tjera në të mbyllur. Sipas Hasanit qytetarët tanimë janë të vetëdijshëm për t’u kujdesur nga përhapja e Covid-19.

“Mendoj se ka ardhur koha që ne si autoritete shëndetësore së bashku me autoritetet profesionale, së bashku me KSI t’i diskutojmë këto gjëra, t’i nxjerrim në tavolinë të gjitha argumentet dhe të vendosim për lehtësimin e masave, që nuk do të thotë të hiqen të gjitha masat për grumbullim nëpër ambiente të mbyllura por sidoqoftë të jetë një formë e kontrolluar e lirimit të masave. Ne vetëm u themi dasma, se grumbullime në ambiente të mbyllura mund të ketë edhe në shumë forma të tjera”, deklaroi Ilir Hasani – zëvendësministër i Shëndetësisë.
Përndryshe sa i përket ahengjeve familjare, me rekomandim të Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, ato lejohen vetëm në hapësira të jashtme, me maksimum 1.000 të ftuar.

Baby Boo