Dalipi: Lushtaku shpifi për takimin e Abazit me BIA-në, ua tregoj faktet me zyrtaren e KE-së…!


Ish-shefi i kabinetit të kryeministrit, Albin Kurti, Luan Dalipi i ka quajtur shpifje deklaratat e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, që i bëri sot në Kuvendin e Kosovës.

Ky i fundit i bërë thirrje Prokurorisë që të ftojë presidentin, Hashim Thaçi, për të dëshmuar dhe për të dhënë më shumë detaje për takimin në Kopaonik që sipas tij ka ndodhur mes ish-zëvëndëskryeministrit,Haki Abazi, dhe njerëzve të shërbimit sekret të Serbisë (BIA).

Mirëpo, Dalipi, përmes një shkrimi në Facebook, deklaroi se fjalët e Lushtaku janë helm ndaj opinionit publik, transmeton Indeksonline

“…po ju tregoj faktet për takimin e inicuar nga zyrtarja e lartë e Komisionit Evropian, znj. Angelina Eichhorst, Drejtoreshë e Veprimit të Jashtëm Evropian (‘EEAS – European External Action Service’) për Evropë Perëndimore, Ballkanin Perindimor dhe Turqinë, në lidhje me luftën kundër pandemisë COVID-19. Ju vlerësoni vet”, ka shpjeguar ai.

Postimi i plotë:

Kur lufta për të shpëtuar jetën e qytetarëve ‘LUFTOHET’ nga ‘përfaqësues’ të qytetarëve! Ironike.

Deputeti Mergim Lushtaku sot në Kuvend të Republikës së Kosovës paska helmuar opinionin publik me një gënjeshtër të rradhës.

Lehtësia me të cilën shpifin shumë politikanë ‘patriotë’ folkloristë sot është tregues se në çfarë niveli të ulët ka ra politikbërja në Kosovë. Pikërisht ata që po shpërndajnë dezinformata sot janë ata që e kanë sjellur vendin në këtë situatë me sjelljet e tyre destruktive këto 20 vitet e fundit. Këta po e dinë që shpejt po iu perëndon jeta politike në vend, prandaj janë qartur kështu, që nga 6 tetori e këndej. Me të vërtetë duhet t’i kthehemi shpejtë kutive të votimit.

Në vijim po ju tregoj faktet për takimin e inicuar nga zyrtarja e lartë e Komisionit Evropian, znj. Angelina Eichhorst, Drejtoreshë e Veprimit të Jashtëm Evropian (‘EEAS – European External Action Service’) për Evropë Perëndimore, Ballkanin Perindimor dhe Turqinë, në lidhje me luftën kundër pandemisë COVID-19. Ju vlerësoni vet!

Me iniciativë të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (‘Regional Cooperation Council-RCC’), mekanizëm i inicuar dhe përkrahur nga Komisioni Evropian, përfaqësues të qeverive të Evropës Jug Lindore dhe Bashkimit Evropian janë pajtuar që nevojitet një “Koridor i Gjelbërt”, për të lejuar kalimin e barnave, pajisjeve mjeksore dhe ushqimit nepër rajonin e Ballkanit Perindimor, gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Në këtë kontekst, znj. Eichhorst, në mars 2020 ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve e Republikës së Kosovës që të mbajë një takim me përfaqësuesin e Zyrës Ndërlidhëse të qeverisë serbe në Kosovë, që është me zyre në Ndërtesë të Komisionit Evropian në Kosovë. Edhe Kosova ka Zyre Ndërlidhëse të saj në Serbi, qysh para shumë viteve.

Komunikimi me shumë vende, përfshirë edhe vendet e rajonit, në kontekstin e luftimit të pandemisë është ende relevant. Komunikimi dhe koordinimi ndërshtetror është shembull i parimit të RECIPROCITETIT mes dy shteteve të barabarta, parim i cili ia ka mundësuar Qeverisë Kurti që ti dalë në ndihmë shqiptarëve të Luginës. Virusi COVID-19 nuk njeh as racë, as kombësi, as etni.

Refuzimi blanko nga ana jonë për të komunikuar në luftën kundër pandemisë jo vetëm që do të kishte ndaluar ndihmën për shqiptarët e Preshevës, por edhe do të kishte rrezikuar një shpërthim të epidemisë në komunat me shumicë serbe, gjë që kishte kërcënuar jetën dhe shëndetin e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa marrë parasysh nga cili komunitet vijnë.

Pas kërkesës së znj. Eichhorst, zëvendësministri i Financave dhe Transfereve më ka ftuar në cilësinë e përfaqësuesit të Kabinetit të Kryeministrit, të marr pjesë në takim zyrtar mes përfaqësuesve të dy shteteve. Takimi është mbajtur më 18 mars 2020, në sallë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, në ndërtesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo është hera e vetme që unë jam takuar me ndërlidhësin në fjalë. Vlen të theksohet që z. Abazi, i përfolur në fjalimin e z. Lushtaku, nuk ka qenë në atë takim.

Ndërlidhësi qysh në fillim të takimit ka potencuar qëllimin e takimit: për të treguar gatishmërinë e qeverisë së Serbisë për t’i ofruar ndihmë komunave me shumicë serbe (Mitrovicës Veriore, Graçanicës, Pasjan, etj.), me medikamente, pajisje mjekësore (maska), etj., në përpjekje për ta luftuar COVID-19. Dmth., tema e vetme ka qenë lufta ndaj COVID-19, në përputhje me mekanizmin ‘Koridori i Gjelbërt’ të Komisionit Evropian.

Dhe ky është FUNDI i kësaj ngjarje normale në luftimin e pandemisë COVID-19.

Unë mburrem që kam qenë pjesë e Qeverisë Kurti, e mirënjohur nga qytetarët e vendit dhe ndërkombëtarisht për menaxhimin e saj të suksesshëm të COVID-19.

Me këtë e përfundoj këtë temë dhe më tutje nuk do të argëtoj asnjë që dëshiron të përfshihet në këtë diskutim të kotë.

Baby Boo