Daja vrau nipin e vajza babanë: Dy vrasjet që tronditën vendin gjatë izolimit


Brenda dy muajve të izolimit në vend kanë ndodhur dy vrasje. Të dy rastet kanë ndodhur në Gjakovë dhe viktima e dorasi kanë pasur lidhje familjare. Njëra dyshohet se ka ndodhur për shkak të trashëgimisë, e tjetra shkaku i një fjalosje çasti. Express u sjell detaje rreth këtyre dy vrasjeve që tronditën vendin.

Një vrasje ka ndodhur të enjten rreth orës 12:00 në Gjakovë. Brenda një shtëpie në rrugën “Sabrije Vokshi”, është gjetur i vdekur një 87-vjeçar nga kujdestarja e familjes.

Pranë trupit të tij, është gjetur vajza e tij 58-vjeçare, e cila dyshohet se ka kryer vrasjen.
Detaje rreth kësaj vrasjeje, përplasjeve që kishin viktima dhe e dyshuara, ka dhënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj.

Selimaj i ka thënë Gazetës Express se në bazë të informacioneve që kanë, viktima dhe e dyshuara për vrasje janë përplasur kohëve të fundit lidhur me trashëgiminë.

Ai ka treguar se 58-vjeçarja ka jetuar bashkë me viktimën dhe se e njëjta është me çrregullime të rënda mendore për një kohë të gjatë.

“Dorasja është me çrregullime të rënda mendore për një kohë të gjatë. Ka jetuar me viktimën. Por në bazë të informacionit që disponojmë, kohëve të fundit janë përplasur lidhur me trashëgiminë”, ka thënë Selimaj për Express.

Sipas tij, edhe viktima edhe e dyshuara kanë lëndime.
“Po viktima ka shenja të lëndimeve në kokë dhe fytyrë, por edhe e dyshuara ka lëndime”, thuhet në përgjigjet e Selimajt.

Por, kjo nuk është vrasja e vetme që ka ndodhur gjatë këtyre dy muajve të izolimit.

Një vrasje tjetër ka ndodhur në po këtë qytet më 24 prill. Në fshatin Nec të kësaj komune, ishte vrarë një 22-vjeçar me inicialet D.Gj.

Ai dyshohet se është vrarë nga daja i tij, pas një fjalosje të çastit.
Rastin për Gazetën Express e kishte konfirmuar Drejtori Rajonal në Policinë e Gjakovës, Lumni Graishta.

Graishta kishte treguar se ishin shoqëruar për në Polici dy persona si dëshmitarë, derisa një 25-vjeçar ishte arrestuar në cilësinë e të dyshuarit.

“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe bastisjes së një lokacioni policia ka sekuestruar 4 armë dhe ka shoqëruar 2 persona në cilësi të dëshmitarëve ndërsa një person është arrestuar në cilësi të të dyshuarit. Trupi i pajetë i viktimës D.GJ 22 vjeçar me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion në IML ndërsa i dyshuari D.P 25 vjeç ndalohet për 48 orë”, ka thënë Graishta.

Ai ka treguar se viktima dhe i dyshuari për vrasje kanë lidhje familjare mes veti.
Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, që ka siguruar Gazeta Express, vetëm gjatë vitit të kaluar në vend kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kishin qenë vrasje të rënda.

Bazuar në këto të dhëna, shumica e këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Prishtinë dhe Prizren. Ndërkohë, në Pejë, që më parë përmendej për vrasjet e shumta, gjatë 2019’s nuk është kryer asnjë vrasje.

Baby Boo